Shirat e muajit shtator kanë arritur ta ndryshojnë paksa nivelin ujit në kaskadën e Drinit. Fierza është rritur me gjysmë metri, ndërkohë që është 25 metra poshtë kuotave optimale. Të dyja kompanitë si ajo e prodhimit të energjisë KESH, dhe ajo e shpërndarjes së energjisë kanë mbyllur importin për tetorin.

Këtë herë energjia është gjetur në treg me një çmim më të mirë se në periudhën e verës, duke përgjysmuar buxhetin për importe.

Në shtator, dy kompanitë shpenzuan 20 milionë euro për të siguruar furnizmin, ndërsa në tetor buxheti për importe shkoi 11.2 milion.

Elton Sevrani, Drejtor i Divizionit të Tregtisë:

“Në pamundësi për të prodhuar energjinë e nevojshme në një sasi prej 1 milionë kilovatorë, do të sjellë një kosto shtesë prej rreth 40-50 milionë euro.”

Konsumi i energjisë elektrike në muajin tetor ishte 4 milion kilovat orë në ditë më pak se mesatarja e muajve të verës. Por OSHEE thotë se pritet që gjatë dimrit kërkesa për energji elektrike të rritet ndjeshëm, ndërsa kompanisë llogaritet t’i nevojiten afro 45 milion euro të tjera për të bërë importe.

“Muaji dhjetor do të jetë një muaj ku blerjet do të jenë në nivele shumë të larta, sepse ngarkesa është e lartë.”

OSHEE dhe KESH tashmë janë në pritje të fondit nga buxheti i shtetit për të bërë këto blerje. Deri tani korporata ka përdorur paratë e Bankës Botërore, ndërsa OSHEE i ka bërë blerjet me buxhetin e saj./Tv Klan