Megjithëse reshjet e shiut u ndërprenë, çarja e argjinaturave të lumit Vjosë ka shkaktuar përmbytje të shumta në qarqet Fier dhe Vlorë. Dalja nga shtrati e lumit në afërsi të Mifolit ka bërë që uji të përmbytë sipërfaqe të tëra në fshatrat Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull. Në këtë zonë ka prani uji në 300 banesa dhe 1,000 ha tokë, si dhe janë përmbytur 310 ha të tjerë.

Situate mjaft e rënduar është në Novosele pasi prurjet e lumit vijojnë të jenë mjaft të larta. Uji në disa banesa ka shkuar deri në 2 metra. Nga të dhënat që vijnë nga terreni mësohet se janë evakuuar 36 familje në fshatin Fermë dhe Fitore.

Edhe në Fier situata është emergjente pasi sipas specialistët të emergjencave civile gjendja është e njëjtë me atë të vitit 2015. 3500 hektarë tokë e janë përmbytur në fshatrat Ferras, Frakull dhe Cerven, Hekal dhe Kutë. Sipas të dhënave të fundit 333 shtëpi në këto zona janë nën ujë. Në këto zona janë evakuuar 68 familje dhe bagëtitë e tyre.  Forca të shumta policie, të ushtrisë me 2 helikopterë të dhe mjete lundruese janë në gatishmëri për tu përballur me situatën.

Banorët kanë shpëtuar gjënë e gjallë, por shtëpitë dhe gjithçka tjetër ua ka përpirë uji.

Po edhe pse të përmbytur, banorët përpiqen të shpëtojnë çfarë i ka mbetur.

Në qarkun e Durrësit janë përmbytur 65 shtëpi e biznese. Në zonën e Ish- Kënetës dhe atë të plazhit uji është tërhequr, por ka lënë pas dëme në 50 shtëpi dhe aktivitete tregtare. Forcat e shtabit të emergjencave civile po pastrojnë territoret nga uji, ndërsa port ii Durrësit është rikthyer në punë.

Sipas të dhënave nga emergjencat rrugët kombëtare janë mbajtur të lira. Vështirësi paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë,ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë.

Në Shijak vendorët kanë bërë thirrje që qytetarët të mos kthehen në shtëpi, edhe pse uji është tërhequr nga pjesa më e madhe e banesave. Në këtë zonë lumi Erzen ka lënë 15 shtëpi të banueshme.

Në qarkun e Dibrës është bllokuar aksi Peshkopi – Kukës, si pasojë e shembjeve masive të dheut në Vasije, ndërsa prurjet e përroit të Bellovës kanë lënë izoluar 150 familje. Ura që lidh Fushë Lurën me Krej Lurën është shkatërruar dhe si pasojë aksi Rrëshen – Tiranë është bërë i pakalueshëm.  Edhe ura e Murrës është dëmtuar.

Tre ura në Librazhd rrezikojnë të shemben nga intensiteti dhe fryrja e lumit Shkumbin. Moti i keq rrezikon të lerë pa rrugë kalimi disa fshatra në qarkun e Elbasanit.

OSHEE ka vijuar riparimin e defekteve për të mundësuar furnizimin me energji të qytetarëve. Aktualisht punohet për të stabilizuar gjendjen në nënstacionet e Zëmblakut, Maliqit, Radhimës dhe Memaliajt. Në vend janë pa energji 45,000 abonentë.

Nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë.

Tv Klan

https://www.youtube.com//embed/Fd8YiIlG4Lw