Një 47-vjeçar ka rënë në pranga të policisë së Fierit. Gjergji Xhaho është arrestuar pasi duhet të bëjë 12 vite burg, i shpallur fajtor për vjedhjen e rreth 1.3 milionë eurove nga një bankë e nivelit të dytë në qytetin e Fierit.

Gjykata e Lartë me Vendimin e datës 02.11.2015, e ka me 12 vjet burg për veprën penale të “Vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”.

Dosja/ Si u vodhën 1.3 milionë euro

Nga hetimet ka rezultuar se Gjergji Xhaho, duke qenë në detyrat e oficerit të kredisë dhe nëndrejtorit të një filiali të një banke në Fier, e ka vjedhur atë në mënyrë të vazhdueshme përgjatë viteve 2005-2010, duke i shkaktuar një dëm të përllogaritur në shumën e 1.300.000 (një milion e treqind mijë) eurove.

Sipas prokurorisë, në realizimin e veprimtarisë kriminale, i pandehuri Gjergji Xhaho ka përfituar nga moskryerja e rregullt e detyrës së punonjësve të bankës dhe konkretisht, arkëtarëve, oficerëve apo drejtorëve, të sipërcituar.

Tre drejtorët e degës nuk kishin menaxhuar në mënyrë korrekte marrëdhëniet me klientët e bankës. Edhe pse në fund të ditës, ata kanë hasur transaksione brenda limitit të tyre të autorizimit, të cilat nuk ishin autorizuar elektronikisht nga ata, nuk kanë kërkuar justifikime për këtë transaksion nga përdoruesi.

Për më tepër ata kanë toleruar autorizimin elektronik të transaksioneve nga kompjuteri i përdoruesve pa prezencën e tyre në kompjuter, me përdorimin e kodeve të sigurisë së hyrjes në sistem të nëndrejtorit të degës, i notifikuar te punonjësi i degës./tvklan.al