Përzgjedhja e anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit  të Lartë  Gjyqësor dhe jo prokurorë të Këshillit  të Lartë të Prokurorisë, sëbashku me komisionet e Vettingu-t, ishin pikat që mbajtën peng konsensusin për muaj me radhë.

Ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, të miratuara me konsensus të plotë, përcaktojnë se 5 anëtarët jo juristë të dy institucioneve zgjidhen 2 nga radhët e avokatëve, 2 nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile.

Anëtarët marrin një mandat 5-vjeçar. Sekretariati i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit verifikon nëse kandidaturat i përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore, një proces që kryhet jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e tyre.

Një nënkomision i krijuar nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, me 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 2 nga opozita përzgjedh kandidatët me të paktën 4 vota.

Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short. Lista e kandidatëve i shkon Kuvendit, i cili brenda 10 ditësh e miraton atë me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse për 3 herë me radhë Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, ata konsiderohen të zgjedhur. Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë kjo procedurë zhvillohet 2 herë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së të gjithë procesit.

Ky operacion udhëhiqet nga Komisioni Europian.  Ai emëron vëzhguesit ndërkombëtarë nga radhet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse.

Vëzhguesi ndërkombëtar i jep rekomandime kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve per pozicioninin e anëtarit të komisionit, gjyqtarit të kolegjit të apelimit dhe komisionerit publik.

Ai paraqet gjetje dhe mendime mbi çështjet që shqyrtohet nga komisioni dhe kolegji i apelimit dhe kontribuon për kontrollin e figurës.  Mund të kërkojë nga dy komisionet e Vetting-ut që të marrin në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë.

Monitoruesi ndërkombëtar ka të drejtë të marrë të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për personat dhe dokumentet e nevojshme me qëllim monitorimin e procesit të rilverësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Kolegji i apelimit përmes komisionerit publik apo vëzhguesit ndërkombëtar shqyrton deklarat e gjyqtarëve apo prokurorëve në procesin e rivlerësimit, të shkuarën e tij, interviston bashkëpunëtorë të tyre në institucione të tjera, kanë akses të drejtpërdrejtë në të gjitha bazat e të dhënave qeveritare përvec atyre që janë klasifikuar sekret shtetëror, duke përfshirë edhe dosjet persona të rivlerësuar, të dhënat personale, llogaritë bankare, të dhënat e automjeteve, të hyrje daljeve në kufi e çdo dokument tjetër.

Rivlerësimi përfshin kontrollin e pasurisë, të figurës dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tv Klan