Në mbylljen e fushatës së Partisë Demokratike në Elbasan, kreu i opozitës Lulzim Basha ftoi qytetarët që të votojnë PD-në, për një ekonomi më të fortë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD zbuloi se kishte marrë një mesazh urimi për fitoren në 25 qershor nga Partia Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe partia e Angela Merkel.

Basha theksoi se këto zgjedhje janë për ekonominë, dhe e vetmja parti që ka një plan të tillë ekonomik është Partia Demokratike.

Ditën e dielë votojmë për ekonominë. Planin ekonomik e ka vetëm PD me ndihmën e Angela Merkel. Partia Popullore Europiane zyrtarisht më uron mua, na uron të gjithëve në fitoren. Ata e dinë, ata e thonë se ne jemi të vetmit me një plan të besueshëm që do të nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni. Që prej orës time të parë do punoj që plani ekonomik të nisë menjëherë nga zbatimi”,

u shpreh kreu i PD.

Lulzim Basha sulmoi edhe mbylljen e fushatës së PS në Tiranë që zhvillohej njëkohësisht. Ai tha se në mitingun përmbyllës të PS në Tiranë janë marrë punonjësit e administratën për funeralin e “Rilindjes”.

“Në Tiranë në këto momente janë ulur në karriget e shtrenjta të njeriut që mbajt asnjë premtim, janë ulur me zor anëtarë të administratës. Pasi qeverisi këto 4 vjet, sillet sikur ka qenë në opozitë. Kësaj i thonë të fusësh kokën në rërë si struci. Janë ulur atje për fushatë, por në fakt është funerali i rilindjes”

, tha Basha.

Letra e presidentit të PPE Joseph Daul dërguar Lulzim Bashës:

“Zgjedhjet parlamentare këtë te diel në Shqipërinë nuk konsistojnë vetëm të zgjedhurit majtas ose djathtas, por në të zgjedhurit midis prosperitetit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë, apo stnjacionit. Partia Demokratike përfaqëson të vetmen alternativë që ofron zhvillim ekonomik, si edhe është e vetmja parti që ka një plan për të ringjallur ekonominë e vendit, të hapë vende pune dhe të investojë shumë në edukim dhe kërkime shkencore. Gjithashtu, parakusht i zhvillimit ekonomik është reforma në drejtësi, sundimi i ligjit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimi i shanseve të barabarta për qytetarët, veçanërisht të rinjtë. Basha ka luftuar për vite për ta modernizuar vendin dhe unë besoj se ai do të qëndrojë i vendosur në implementimin e reformave të nevojshme që do ta sjellin Shqipërinë me afër vlerave dhe standardeve europiane. Çdo ndërhyrje apo manipulim i rezultatit të zgjedhjeve nuk do të tolerohet. U bëj thirrje autoriteteve shqiptare që t’u qëndrojnë të gjitha standardeve eurpiane për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një Shqipëri demokratike dhe e fortë sjell stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit. Qeveria e re që do të zgjidhet duhet të përshpejtojë përpjekjet për të implementuar sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit dhe kanabisit. Së fundmi, u uroj kandidatëve të PD-së dhe kryetarit Basha gjithë të mirat ditën e diel dhe fitore”.

/tvklan.al