Policia nuk gjeti asnjë gëzhojë në vendin ku mbrëmë rreth orës 18:00 u ekzekutua Refit Toro, një i ri me precedent penal.

32-vjeçari u qëllua 4 herë, me 3 plumba në trup dhe 1 në qafë. Burime të policisë thonë për Tv Klan se vrasësi ka përdorur një pistolete me mulli për të mos lënë gjurmë. Dyshohet se mund të ketë qenë vrasës me pagese dhe ka patur një bashkëpunëtor.

Toro ka qenë në veturën e tij, një fuoristradë tip “Mitsubishi”, pranë zonës së Skelës, kur një makinë me dy persona i është afruar.

Ka qenë personi që ndodhej si pasagjer ai që ka qëlluar mbi të. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.

Toro, i cili ka ndërruar emrin disa vjet më parë, nga Jetnor në Refit, ka qenë person i skeduar nga policia për disa vepra kriminale.

Ai ka qenë disa herë i dyshuar për vjedhje me armë dhe me dhunë në Shqipëri, ndërsa në Itali ka qenë i dënuar për vjedhje me armë, ku edhe ka vuajtur disa vite burg.

Në vitin 2008, mësohet se Toro, ka qenë i arrestuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një personi në qytetin e Vlorës.

Hetuesit thonë se ka informacione dhe të dhëna se më parë Toro ka qenë i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike nga Vlora në drejtim të Italisë. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes, ndërsa për disa kohë kishte jetuar në Tiranë dhe në Itali.

Policia e Vlorës ka shoqëruar 10 persona, të dyshuar dhe dëshmitare, por asnjëri prej tyre nuk është ndaluar. / TV KLAN