Pas 68 seancash dhe 18 muaj proces gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë një burgim të përjteshëm dhe 137 vite burg për bandën e vrasësve me pagesë që drejtohej nga Admir Tafilaj.

Dënimin kapital e mori vetëm kreu i bandës, i cili është duke vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasje.

Me 10 heqje lirie u dënua Kristi Pine, i penduari i kësaj bande, i cili zbuloi gjithë skemën si funksiononte grupi dhe se porositë i merrte nga Admir Tafilaj.

35 vite burg u dhanë për Elson Merdanin, 37 për Alfred Qefalinë, 25 për Dritan Peksanin dhe 20 për Klajdi Shtembarin.

Ndërsa për 4 anëtarët e tjerë të bandës, Aleksandër Gora, Albano Beqiraj, Fatos Koka dhe Dhimitër Ziko u dhanë në total 20 vite burg, pasi sipas gjykatës nuk kanë patur rol aktiv në krimet e kryera.

Ky grup, sipas Prokurorisë akuzohet se në 25 Qershor 2014 ka vrarë në Shkodër, Ibrahim Manin për motive gjakmarrje. Në tentativë ka mbetur vrasja e Edmond Çakmashit, në 5 Nëntor 2013 në Tiranë.  

Janë po këta persona që kishin planifikuar vrasjen e Leonard Murataj në Durrës, por nuk mundën ta kryejnë, pasi ai u vra nga persona të tjerë në 19 Nëntor 2014. Në Dhjetor 2014, grupi i Admir Tafilajt organizoi vrasjen e Majlind Lilës, ngjarje e mbetur në tentativë.

Tv Klan