Vrasja mizore e Almir Aliut, një 4 – vjeçari shqiptar nga Kumanova, ka nxitur reagime të shumta në komunitetin shqiptar në Maqedoni. Ai u aksidentua qëllimisht me makinë nga shtetasi maqedonasi Boban Iliç, pas një konflikti që pati me babain e të miturit.

Almiri u përcoll në banesën e fundit nga mijëra qytetarë të Kumanovës, të cilët nuk kanë lejuar që në ceremoni të merrnin pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare, për shkak të mungesës së reagimit për ngjarjen e rëndë.

Në disa fletpalosje që po shpërndahen në Kumanovë dhe në rrjetet sociale, ditën e hënë në orën 15:00 do të ketë një protestë masive për këtë ngjarje.

Marshi protestues do të fillojë para gjimnazit “Sami Frashëri” dhe do të mbarojë me bllokimin e rrugës ku ndodhen institucionet e gjykatës, komunës dhe stacionit policor.

Për rastin në fjalë, gjykata ka dhënë 30 ditë paraburgim për maqedonasin e tërbuar. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga partitë shqiptare në Maqedoni, në pushtet apo opozitë.

Megjithëse ato kërkojnë votat e shqiptarëve, në këtë rast janë treguar të dobët, duke mos qëndruar në krah të mijëra shqiptarëve që kërkojnë dënimin e rastit.

Tv Klan