Vetëdorëzohet pak minuta më parë në drejtorinë e Policisë Tiranë, Renato Milloshi, bashkëpunëtori i dyshuar në vrasjen e Elton Çiços.

Policia thotë së vetëdorëzimi është bërë pas negociatave të shumta me familjen e tij.

Mbrëmjen të hënës Milloshi, u paraqit bashkë me avokatin e tij në Drejtorinë  Policisë, ku dha shpjegimet e para. Nga ana tjetër ai ka pranuar rolin e tij në sigurimin e mjetit tip Ford të përdorur natën e ngjarjes për transportimin e Jani Alisë, përpara dhe pas atentatit ndaj Çiçës.

 

Milloshi është dorëzuar rreth 9 muaj pas atentatit që iu bë Çiços në një lokal në zonën e ish- Bllokut në kryeqytet, ngjarja e ndodhur më 1 maj të vitit 2016. 

37-vjeçari Renato Milloshi  dhe Jani Alia janë të dyshuar njëri si bashkëpunëtor dhe tjetri si autor në vrasjen e Elton Çiçës.

Milloshi dyshohet si personi që shoqëroi me automjetin e tij, tip Ford, Aliajn në vendin e ngjarjes dhe më pas e mori atë pas vrasjes.  

Makina e tij u sekuestrua pak ditë më vonë nga policia.

Kush është Renato Milloshi

Renato Milloshi –

është djali i ish-kryetarit të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi. Ai është një emër i njohur për policinë e Tiranës. Në vitin 2015 ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës për mbajtje pa lejë të armëve sportive dhe kanosjen e një personi. Sipas vendimit, Milloshi dhe e dashura e tij S.E, kanë keqtrajtuar dhe më pas kanosur me armë, shtetasin Mareglen Abedini, i cili ka qenë ish-i dashuri i S.E. 

Në vitin 2012, Renato Milloshi ka qëlluar me thikë dy persona pas një debati në një pikë bastesh. Nga hetimet e policisë, në atë kohë, rezultoi se djali i ish-kryetarit të Partisë Komuniste, kishte plagosur me thikë pronarin e lokalit, Aleto Rama dhe klientin Albi Saliasi.

Sipas hetimeve të policisë Jani Alia është personi që duket nga videot e regjistruara në lokal, ai që ka qëlluar në drejtim të Elton Çiços. Ndërkohë Renato Milloshi ka bashkëpunuar për këtë vrasje, duke ndihmuar autorin të largohet

Kur u shpall në kërkim Renato Milloshi

Renato Milloshi dhe Jani Aliaj u shpallën në kërkim nga policia në 24 maj 2016. Në të njëjtën datë, Gjykata e Tiranës vendosi për ta masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.

Ngjarja

Vrasja e Elton Çiços ndodhi mbrëmjen e 1 Majit të vitit 2016, rreth orës 22:20 minuta, pranë zonës së stadiumit “Selman Stermasi”.

Çiço ishte ulur tek lokali “De Niro”, kur u qëllua me dy plumba. Sipas dëshmitarëve autori qëlloi me pistoletë, ndërsa ishte i maskuar me kapele.

Pista kryesore e vrasjes së Elton Çiçës nga Jani Alia, sipas policisë, është ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vjetra që dy bashkëqytetarët kishin pasur vite më parë me njëri – tjetrin.

Këto konflikte disa vjeçare kanë nisur në Greqi, për pazare droge dhe herë pas here kishin përfunduar në tentativa të dështuara për të eleminuar njëri – tjetrin.

Përplasjet ishin bërë të shpeshta në 4 muajt e parë të vitit 2016, që çuan deri në ekzekutimin e Elton Çiçës.

Jani Aliaj është tentuar të vritet më 10 Janar, në një lokal në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.

Më 25 Prill, 6 ditë para vrasjes së Çiços, ai u plagos në dorë, në një atentat të kryer në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”./tvklan.al