“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen tragjike të mikut dhe bashkëpunëtorit të shkëlqyer Roland Saliu”,

me këto fjalë, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka reaguar për vrasjen e kreu të OSHEE në Vlorë, pasditen e kësaj të mërkure.

Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Gjiknuri i shpreh ngushëllimet familjes së tij, bashkëshortes dhe tre fëmijëve. Ministri shkruan se sot, OSHEE humbi një prej drejtuesve më të përkushtuar, ndërsa Vlora humbi një njeri që çdo ditë u përpoq t’i shërbente qytetarëve.

“Ngushëllimet më të thella për familjen, bashkëshorten Olën dhe tre fëmijët, të cilët humbën tragjikisht njeriun e tyre më të dashur. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi një prej drejtuesve më të përkushtuar. Qyteti i Vlorës humbi njeriun që u përpoq çdo ditë të jetës së tij ti shërbente qytetarëve. Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre! Lamtumirë i dashur Landi!”, 

shprehet Ministri në postimin e tij.

Rreth orës 19:40 minuta të kësaj të mërkure, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të një lokali në qendër të Vlorës, duke lënë të vrarë në vend Drejtorin e OSHEE të këtij qyteti, Roland Saliu dhe duke plagosur rëndë biznesmenin Erven Hyseni. Ky i fundit u dërgua në gjendje të rëndë për jetën në spital, ku dhe ndërroi jetë. /tvklan.al