Pas vrasjes së efektivit të FNSH, Ardian Kodra 50 vjeç, ekspertë të policisë dhe prokurorisë ndodhen në vendin ku ndodhi krimi.

Mësohet se ata kanë mbërritur ditën e sotme në Torovicë të Lezhës dhe po hetojnë kronologjinë e ngjarjes së rëndë.

Ardian Kodra me uniforme

Në foto: Efektivi i FNSH, Ardian Kodra

Ardian Kodra mbeti i vrarë ditën e djeshme gjatë një aksioni në zonën e Torovicës, nga David Qosja 30 vjeç.

Ky i fundit është i njohur në zonë si person me probleme mendore.

autori_2

Në foto: Autori i vrasjes, David Qosja

E gjithë ngjarja nisi gjatë paradites së djeshme, kur në Malin e Torovicës u konstatua një vatër zjarri, e cila sipas banorëve të zonës ishte ndezur për shkak të të shtënave me armë të të riut.

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë, të cilat i bënë thirrje atij të dorëzohej, por kanë hasur në kundërshtimin e 30 – vjeçarit, i cili ka qëlluar në drejtim të uniformave blu duke arritur të futet në banesën e tij.

Rreth orës 15:00 u lajmërua plagosja e efektivit të policisë, i cili u dërgua në spital, por pa mundur t’i shpëtojë plagës së marrë.

David Qose u kap pas disa orësh shkëmbim zjarri me policinë në katin e parë të shtëpisë së tij, të cilës i vuri edhe flakën Atij iu gjet arma e krimit dhe një sasi e madhe municioni. Banorët e zonës thonë se ai njihej si person me probleme, por nuk ngacmonte të tjerë.

30 – vjeçari është transportuar fillimisht drejt Drejtorisë së Policisë së Lezhës, duke i dhënë fund një operacioni që zgjati disa orë./tvklan.al