Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte mbrëmjën e së premtes në banesën e efektivit të FNSH –së, Ardian Kodra, i cili u vra në krye të detyrës në një përplasje me armë në Torovicë të Lezhës, për t’i shprehur ngushëllimet familjes së tij. Tahiri e konsideroi këtë ngjarje si një goditje shumë të madhe për Policinë e Shtetit dhe shtetit ligjor në tërësi.

“Kjo është sigurisht një dhimbje shumë e madhe për familjen, për miqtë dhe të dashurit e Ardianit, ashtu siç është një goditje shumë e madhe për Policinë e Shtetit dhe për shtetin ligjor në tërësi. Është një moment i veçantë për t’iu gjetur pranë familjes, miqve dhe kolegëve, ashtu siç është edhe një moment shumë i veçantë për të kujtuar të gjitha sakrificat e pamasa që kanë punonjësit e policisë në kryerjen e detyrës, shumë prej të cilëve kanë sakrifikuar jetën për të garantuar siguri për të gjithë ne të tjerët. Ndaj në emër të të gjithë atyre që sot kujtojnë me dhimbje Ardianin dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për shtetin ligjor në Shqipëri dhe në emër të të gjithë kolegëve të tyre, që sot luftojnë ende, rrugë më rrugë, në çdo lagje me botën e krimit, është momenti për t’i thërritur mendjes si shoqëri, që të bëjmë gjithçka është e mundur që t’i gjendemi pranë punonjësve të policisë. Punonjësit e policisë kanë nevojë për mbështetjen e çdo mendjen të arsyeshme në këtë vend. Ashtu siç kanë nevojë për mbështetje në infrastrukturë, në logjistikë, në paga. Unë do të bëj gjithçka është e mundur t’i parashtroj Kryeministrit kërkesën për rritjen e pagave të punonjësve të policisë. Ashtu siç do bëj gjithçka është e mundur për ta kthyer Policinë e Shtetit në trupën moderne që presin shqiptarët. Dhe ashtu siç do bëjmë gjithçka është e mundur me të gjithë drejtuesit e policisë, në çdo cep të Shqipërisë dhe me të gjithë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë, me të gjithë ata që arrijnë të arsyetojnë, për t’u bërë bashkë për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë dhe të sigurtë.”

Më herët, edhe Zv/Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa, me anë të një postimi në rrjete sociale u shpreh i shokuar nga kjo ngjarje dhe tha se ishte dora e krimit ajo që ndëshkoi punonjësin e policisë. Çipa e konsideroi një dhimbje të madhe humbjen e efektivit Kodra dhe shprehu respekt dhe solidaritet për familjen e tij.

“Sërish dora e krimit ndëshkon punonjësit e policisë në krye të detyrës. Sërish uniformat e FNSH-së së Shkodrës shokohen sikurse të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për humbjen e kolegut tonë. Ardian Kodra dhe kolegët e tij, shkuan në Torovicë të Lezhës për të rivendosur qetësinë publike dhe neutralizuar kriminelin David Qosja që kishte terorizuar zonën i armatosur. Dhimbje e papërshkruar, respekt dhe solidaritet me familjen e dëshmorit të Atdheut Ardian Kodra”. /

tvklan.al