Rreth 2 mijë besimtarë katolikë, të shoqëruar nga qindra myslimanë mbajtën bashkërisht meshën e së dielës në Katedralen e Rouen, në kujtim të priftit 84-vjeçar Jacques Hamel, i vrarë pak ditë më parë nga dy terroristë të Shtetit Islamik.

“Gjatë hyrjes në kishë, besimtarët myslimanë janë duartrokitur nga katolikët. Një veprim i tillë ka qenë mjaft emocionues dhe na ka përlotur”, thotë njëri prej myslimanëve.

Një ditë më parë, një portret i At Hamelit i pikturuar nga një besimtar mysliman iu dhurua kishës në Saint Etienne du Rouvray. Sulmi terrorist i pak ditëve më parë duket se ka afruar edhe më shumë besimtarët e dy feve.

Ndërkohë komuniteti mysliman në Saint-Etienne du Rouvray refuzoi varrimin e njërit prej terroristëve, Adel Kermiche. Krerët e komunitetit thanë për mediat franceze se do të braktisin ceremoninë larjes së trupit të tij dhe pjesëmarrjen në varrim. /TV KLAN