Almir Daci

Almir Daci, i riu nga Pogradeci që lufton për ISIS dhe që u shfaq ne video duke kërcënuar Shqipërinë, dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen e një shqiptari që shkoi në Siri për të luftuar përkrah tij.

Bëhet fjalë për Shkëlzen Dumanin, me origjinë nga Dibra, i cili iku në Siri në vitin 2013 bashkë me dy fëmijët e tij 9 dhe 11 vjeç.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar telefonatat e disa personave që gjenden në Shqipëri, me të cilët komunikon Almir Daci dhe anëtarët e grupit që ai drejton në Siri. Në këto telefonata, që prej vajtjes së Shkëlzen Dumanit, flitej për një shumë parash që ai kishte me vete. Burime të besueshme të inteligjencës i thanë Televizionit Klan se Dumani kishte marrë me vete paratë e shtëpisë që kishte shitur, rreth 50 mijë dollarë. Nga përgjimet kuptohet se grupi i shqiptarëve të drejtuar nga Almir Daci nuk e ka mirëpritur Dumanin dhe po planifikon për t’i marrë paratë. Pas këtyre bisedave nuk është folur më për të riun me origjinë nga Dibra dhe më vonë u raportua se ai u vra gjatë luftimeve përkrah ISIS.

Përgjimet kanë zbuluar gjithashtu se Almir Daci është vënë tashmë në komandën e shqiptarëve që gjenden në Siri dhe po rivalizon kosovarin Lavdrim Muhaxheri, i cili, në hierakrinë e ISIS ka gradë më të lartë dhe është më i besuar tek drejtuesit e Shtetit Islamik.

Ne pergjimet e vitit 2013 rezultoi se Almir Daci ka patur komunikim me Genci Ballën, ish – Imamin e vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, të arrestuar për terrorizëm dhe rekrutim të luftëtarëve për ISIS. Përgjimet zbuluan se Daci ka nën kujdes bashkëshorten dhe fëmijët e Ballës. Në Siri kanë mbetur rreth 17 fëmijë shqiptarë jetim, pasi baballarët e tyre janë vrarë. Mes tyre janë edhe dy fëmijët e moshës 9 dhe 11 vjeç të Shkëlzen Dumanit, bashkë me nënën e tij, e cila shkoi në Siri për t’i marrë ata pasi mori vesh se i biri ishte vrarë.

Tv Klan