Itali – Mes Agron Bashmetës dhe Donatella Chiarit ka patur më shumë sesa miqësi, e madje 44 – vjeçari ka shpenzuar “shuma të mira parash” për të.

“E çuditshme që hetimet janë mbyllur. As kur vritet një kafshë nuk mbyllen hetimet në një pasdite. Agroni tashmë është nën dhe”.

Është ky rrëfimi i vëllait të Agron Bashmetës, 44 – vjeçarit i cili u vra nga makina e Donatella Chiarit, gruaja e cila mëngjesin e të hënës në Villongo të Italisë, e përplasi atë aksidentalisht, në përpjekje për të shpëtuar. Sipas pretendimit të saj ai tentoi ta sulmonte, pasi e kishte kërcënuar me thikë, u kap pas pasqyrës së mjetit të gruas dhe në këtë moment u përplas.

“Im vëlla mund të ketë gabuar, por të paguash me jetën është e papranueshme”,

kështu shprehet Skënder Bashmeta në një rrëfim për

“Bresciaoggi”.

Ai është një prej dy të mbijetuarve nga pesë vëllezërit nga Kavaja, tre prej të cilëve kanë vdekur. Përveç Agronit kanë ndërruar jetë Sherbeti dhe Haxhiu, në dy aksidente të ndryshme në punë, njëri në Calcio të Italisë dhe tjetri në Shqipëri. Prej tyre mbeten vëllezërit, Skënder dhe Vasip Bashmeta.

“Mes Agronit dhe Donatellës kishte më shumë se miqësi”,

këmbëngul vëllai për të përditshmen italiane.

“Kishte ditë që flisnin në telefon deri në 4 të mëngjesit. Mesazhet që kanë shkëmbyer do të shpjegonin shumë gjëra, gjithnjë nëse do të ketë vullnet për t’i shkuar më thellë kësaj historie”.

“Vëllai ynë kishte investuar shumë dhimbje e para për këtë grua, siç mund të vërtetohet fare lehtë nëse kontrollon llogaritë e tij bankare. Ai ka qenë gjithnjë një njeri i përgjegjshëm, i kemi thënë gjithnjë që të mendonte për familjen dhe fëmijët e tij, por ishte i dashuruar. Jemi të sigurtë, shpresojmë që hetimet të vazhdojnë

“, shprehet Skënder Bashmeta.

Agron Bashmeta ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve ende të mitur, një djalë 13 – vjeç dhe një vajzë 8 vjeç. Edhe Donatella kishte një djalë, por nga një lidhje e mëparshme. 44 – vjeçarja nga Chiari e ka mohuar se ka patur një lidhje më shumë se shoqërore me shqiptarin dhe ka rrëfyer se e ka denoncuar më shumë se një herë për ngacmim.

Ata u njohën vite më parë në Chiari, kur ajo punonte si agjente e policisë lokale. Që prej asaj kohe, ata vijuan të frekuentoheshin. Thuhet se ai nuk ishte më i kënaqur vetëm me një lidhje miqësore. Por tashmë, deklaratat e familjarëve të 44 – vjeçarit mund të ndryshojnë të gjithë këtë histori./tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/o-PiqRx1u7Y