Dy ditë pas ekzekutimit mafioz të 35 – vjeçarit Fatjon Sinani në banesën e tij në Vlorë, veç pistës së vrasjes për ndonjë konflikt të mbartur nga Tropoja, policia po vlerëson edhe pistën e përfshirjes së viktimës në aktivitete të paligjshme.

Një pistë e tillë hetimi, është konfirmuar për Televizionin Klan nga burime të Policisë së Vlorës. Të njëjtat burime nga policia e Vlorës, thanë se Neritan Qejvani, i gjendur përballë provave dhe arrestimit në flagrancë ka pranuar për momentin autorësinë e vrasjes.

Mësohet se 42-vjeçari i arrestuar nuk ka pranuar të japë emrin e personit të dytë të lidhur me këtë krim. Krerë të policisë lokale rezervohen të flasin në lidhje me pistat, duke pohuar se nuk mund të shprehen në lidhje me pistat e krimit.

Të afërm të familjes së Sinanit, kanë mohuar që njeriu i tyre të ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme në Vlorë. Ata pohuan jashtë kamerave, se Sinani dhe bashkëshortja e tij, po hanin darkë, kur një person i paidentifikuar kishte hyrë në banesën e tyre duke qëlluar ndaj 35 – vjeçarit nga Tropoja me banim në Vlorë.

Tv Klan