Sarandë- Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit Premtim Bega në Borsh dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Ata janë 20-vjeçari Xhonatan Muço, 20 vjeç, banues në Vlorë  dhe Thanas Hodo, 26 vjeç, banues në Borsh.

Më herët ishte arrestuar 19- vjeçari Ronaldo Shehu banues në Vlorë.

Sipas policisë, dy grupe të rinjsh u përleshën me njëri-tjetrin me mjete të mprehta dhe thika.

Njoftimi i policisë

Në datë 26.07.2017 rreth orës 00:40, në sallën operative Sarandë mbërriti një telefonatë që njoftoi se në fshatin Borsh, në rrugën kryesore ka ndodhur një konflikt midis disa të rinjve me disa të dëmtuar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku ka rezultuar se në konflikt janë përfshirë disa persona për motive të dobëta.

Gjatë konfliktit ata kanë përdorur mjete të mprehta shpuese, e për pasojë kanë marrë dëmtime të rënda në trup shtetasit:

– P.B., 31 vjeç, banues në Borsh, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në Qendrën Shëndetësore.

– E.O., 24 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

– D.K., 24 vjeç, banues në Borsh

– E.M, 23 vjeç, banues në Borsh, dy të fundit kanë pësuar dëmtime të lehta./tvklan.al