Vila-SeliteNjë tentativë për të grabitur një banesë në Selitë të Tiranës ka rezultuar fatale për dy të rinj, të moshave 22 dhe 27 – vjeç.

Ka qenë ora 8 e 30 e mëngjesit kur Flamur Ymeri, pronari i një vile dykatëshe pranë nënstacionit ka hyrë në shtëpi dhe brenda dhomës së gjumit ka gjetur dy të rinjë me maska dhe të armatosur.

Është përleshur me ta dhe më pas i ka qëlluar me një automatik tip Skorpions, duke i lënë të vrarë në vend.

Tv Klan ka mësuar se dy viktimat janë Adnan Luli dhe Ervin Shaba, persona që rezulton se Ymeri nuk i njihte.

Pas vrasjes, 46 –vjeçari ka njoftuar policinë. Një grup i posaçëm hetimor mblodhi provat në vendngjarje dhe mori dëshminë e autorit.

Vetë 46 –vjeçari Ymeri ka rrëfyer dinamikën e ngjarjes.

Ai ka thënë se në orën 8 kishte dalë nga shtëpia për të dërguar dy vajzat në shkollë dhe kur është kthyer gjysmë orë më pas, ka parë dy persona të maskuar dhe të armatosur në katin e dytë të shtëpisë.

Është gjendur në befasi përballe tyre dhe është përleshur. Ka mundur t’u marrë automatikun që njëri prej tyre e mbante në krah dhe i ka qëlluar. Plumbat i kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit dhe në fytyre, çka e bëri të vështirë identifikimin e viktimave.

Në vendin e ngjarje policia gjeti edhe një pistoletë. Është provuar se edhe kjo armë ishte e njërit nga viktimat.

Flamur Ymeri ushtronte aktivitet privat në fushën e ndërtimit. Një ditë me parë mësohet se ai kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash si pagesë për disa pune të kryera prej tij.

Dyshohet se grabitësit kanë patur informacion për këtë fakt dhe kjo është edhe pista mbi të cilën po hetohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

Tv Klan