Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë, “arrest me burg” për 17 – vjeçarin Fabian Muçllari, i cili pasditen e së martës vrau me automatik bashkëmoshatarin e tij, Fabio Hilën, pasi dyshonte se i ngacmonte të dashurën.

Me kërkesë të prokurorit të çështjes, gjyqtari Selajdin Pysqyli vendosi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të moshës së të pandehurit.

Autori i krimit ka paraqitur para trupit gjykues të gjithë dinamikën e ngjarjes, që nga shkëmbimi i fyerjeve me bashkëmoshatarin e tij në rrjetin social Facebook, e deri tek momenti i ekzekutimit të tij.

Pasi vlerësoi rrethanat e ngjarjes, rrezikshmërinë e veprës penale dhe të autorit të saj, prokuroria kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin si masë sigurie, atë të arrestit me burg.

Kjo kërkesë u pranua nga gjykata, e cila vendosi të lërë në burg 17 – vjeçarin deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit. Në seancë ka qenë i pranishëm vetëm i ati i Fabian Muçllarit, i cili nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me ngjarjen, duke miratuar gjithçka ka thënë avokati i caktuar nga gjykata për mbrojtjen e tij.

Seanca për masën e sigurisë është mbajtur në Gjykatën e Korçës, pasi në Gjykatën e Pogradecit, mungon seksioni për të miturit.

Tv Klan