Një 18 – vjeçare është arrestuar pas një aksidenti me makinë, nga ku mbeti e vdekur motra e saj 14 – vjeçare, e cila po bënte një video live në rrjetin social Instagram.

Obdulia Sanchez nga Stockton, është akuzuar për vozitje nën ndikimin e substancave të ndaluara, gjë që shkaktoi aksidentin fatal në Los Banos të Californias, ditën e premte.

Motra e saj e vogël, Jacqueline Sanchez ndërroi jetë në vendngjarje, ndaj autoritetet tani po shohin regjistrimin që besojnë se tregon zhvillimin e ngjarjes tronditëse.

Videoja në Instagram tregon Obdulian duke folur në kamera ndërsa vozit normalisht dhe momentin kur makina rrokulliset mbi një gardh me tela e gjemba dhe përfundon mbi fushë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes më pas tregojnë trupin e Jacqueline të shtrirë në tokë, vajzën tjetër, që gjendej në makinë duke kërkuar ndihmë dhe Obdulian duke folur në kamera.

Gjatë videos Obdulia tha: “

Jacqueline, të lutem zgjohu. Vrava motrën time, ok? E di që do të burgosem përjetë. E dua motrën time … kjo është gjëja e fundit që mendova se do të ndodhte me ne”.

“Kam vrarë motrën time, por nuk më intereson. Kam vrarë motrën time. E di që do shkoj në burg, por nuk më intereson. Më vjen keq zemër. Jam një njeri që duhet të mbahem nën kontroll.”

Videoja shqetësuese përfundon me Obdulian duke u gjunjëzuar pranë motrës së saj të vdekur dhe duke thënë:

“Zgjohu zemër, më vjen shumë keq zemër, nuk doja të të vrisja e dashur.”

Sherifi i Merced County Vern Warnke tha se Jacqueline nuk e kishte vendosur rripin e sigurisë, kur makina u aksidentua në Henry Miller Road, rreth orës 6:45 të ditës së premte.

Sipas autoriteteve, 14 – vjeçarja është hedhur nga makina përmes dritares së pasme. Vajza tjetër, të cilën policia nuk e identifikoi, por konfirmoi se ishte e mitur, gjithashtu nuk kishte vendosur rripin e sigurimit dhe kishte pësuar lëndime të mëdha në këmbë.

Patrulla e rrugëve kryesore të Kalifornisë shpjegoi se Obdulia po voziste makinën kur u kthye në krahun e djathtë të një rruge, rreth 120 kilometra në juglindje të San Fransiskos. Ajo korrigjoi veprimin, duke shkaktuar mënjanimin e automjetit nëpër korsi, përplasje në një gardh teli dhe më pas përmbysje në një fushë.

Obdulia e kishte vendosur rripin e sigurimit, ndaj pësoi lëndime të lehta. Ajo u ankua vetëm për dhimbje në gjoks dhe gjunjë.

Sanchez tashmë ndodhet në burgun e Merced County, me akuzën për vrasje pa paramendim me automjet, ndërkohë që ishte nën ndikimin e substancave të ndaluara.

Autoritetet thonë se ajo u arrestua në vendin e ngjarjes, pasi dyshohet se rezistoi ndaj policisë. Ajo po bërtiste, duke thënë se motra e saj kishte vdekur, ndërkohë që oficerët përpiqeshin ta qetësonin dhe ta çonin në ambulancë, raporton Fresno Bee.

Policia u shpreh për ABC 30:

“Sanchez ishte nën ndikimin e substancave, kur e rrokullisi makinën e saj në një gardh me tela e gjemba dhe më pas në fushë”.

Autoritetet thonë se janë vënë në dijeni të videos tronditëse të aksidentit që qarkullon në mediat sociale dhe se po punojnë për të përcaktuar nëse ajo është autentike. Ndërsa anëtarët e familjes kanë konfirmuar se video është regjistruar nga Obdulia. Ata shtuan se viktima, Jacqueline, do të festonte 15 – vjetorin ditën e diel.

Mary Hernandez, nga Stockton, e cila pa regjistrimin e drejtpërdrejtë, vendosi të regjistrojë, ndërsa nuk ishte i sigurt nëse pamjet  tronditëse ishin reale.

“Fillimisht nuk donim të besonim që ishte e vërtetë,”

 tha ajo.

E regjistrova dhe e shpërndava kryesisht sepse, si dikush që përdor Snapchat, shoh shumë njerëz që vozisin duke bërë atë që ajo po bënte me Snapchat-in e tyre, kështu që për mua ishte si një hapje sysh.”

/tvklan.al