Katër ushtarë turq janë vrarë të mërkurën gjatë luftimeve me militantë të Shtetit Islamik në zonën e Al-Bab-it, në veri të Sirisë.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” raporton se 15 ushtarë të tjerë janë plagosur, ndërsa luftimet vazhdojnë ende.

Forcat turke kanë hyrë në Siri që prej 24 Gushtit 2016 në mbështetje në Ushtrisë së Lirë Siriane dhe po luftojnë përgjatë kufirit kundër terroristëve të Shtetit Islamik dhe grupeve kurde.

Lajmi për vrasjen e ushtarëve turq është konfirmuar edhe nga ushtria turke.

Ajo tha në websajtin e saj zyrtar se ushtarët turq ishin në një operacion së bashku me ushtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane për të çliruar qytetin Al-Bab nga militantët e Shtetit Islamik kur ndodhi përplasja.

Më herët të mërkurën, ushtria turke tha se rruga që lidh Al-Bab-in me qytetin e shkatërruar të Alepos është marrë tërësisht nën kontroll.

Mijëra civilë janë evakuuar ditët e fundit nga Alepo, qyteti i dytë me i madh i Sirisë, pas sulmeve të koordinuara të forcave ruse dhe forcave të Asadit./tvklan.al