vrasja-policit

Policia humb një tjetër efektiv të saj në përballje me elementë kriminale.

Simon Gjeta, Komandant i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra në një aksion për kapjen e një 52 – vjeçari, i shpallur në kërkim për plagosjen, me herët, të një 21 – vjeçari në fshatin Oblik.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, policia u vu në ndjekje të 52 – vjeçarit Rruzhdi Aishta. Ai u lokalizua në banesën e tij, ku dhe iu bë thirrje për t’u dorëzuar.

Ka qenë Komandanti i FNSH -së që hyri i vetëm në banesë për të neutralizuar Aishtan, por ky i fundit hapi zjarr me breshëri në drejtim të tij.

Simon Gjeta mbeti fillimisht i plagosur. Ai ndërroi jetë më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për shkak të plagëve të rënda.

Edhe pas vrasjes së efektivit të policisë, 52 – vjeçari Rruzhdi Aishta ka vijuar të bëjë rezistencë me armë, duke qëlluar disa herë në drejtim të forcave të rendit. Në ndihmë të tyre janë nisur efektivë të forcave RENEA nga Tirana, por errësira dhe terreni e bëjnë të vështirë operacionin.

Rruzhdi Aishta njihet nga policia si person me rrezikshmëri të lartë. Gjatë mesditës ai plagosi me armë Besar Sherbelën, duke e qëlluar me një plumb në kraharor. Shkak i konfliktit mendohet të ketë qenë një sherr për motive pronësie.

Tv Klan