Ky që shihni në këtë foto është Ernad Hysenaj, një 18-vjeçar, shqiptar nga Mali i Zi, i cili ka humbur jetën në janar të këtij viti në Siri.

Nuk dihet sesi u josh 18-vjeçari nga Hoti i Plavës, për të qenë pjesë e grupeve të armatosura të shtetit islamik.

Njoftimi për ndarjen nga jeta të adoleshentit, u bë nga miq e të afërm të tij në rrjetet sociale.

Këta të fundit thonë se, Ernadi më herët shkoi të jetonte në Bohum të Gjermanisë, nga ku dhe mendohet të jetë rekrutuar nga grupe të fshehta, të cilët merren me gjetjen e xhihadistëve të rinj që luftojnë në emër të shtetit islamik.

Ata që e njohin, thonë se familjarët nuk dinë asgjë lidhur me rrethanat që e kanë bërë të riun të jetë pjesë e forcave të armatosura në Siri, përveç mbërritjes së lajmit se Ernadi u vra në luftime.

Që prej fillimit të luftimeve, numri i shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë, të vrarë gjatë luftimeve në Siri dhe Irak mendohet të jetë mbi 55. 41 qytetarë janë nga Kosova dhe 14 nga Shqipëria.

Tv Klan