Lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç u vra sot në mëngjes në veri të Mitrovicës, në hyrjen e selisë së partisë së tij “Nisma Qytetare”, një ngjarje që vjen si goditje për stabilitetin e brishtë në këtë pjesë ende të nxehtë të rajonit të Ballkanit.

Ai u qëllua me 6 plumba në orën 8.30 të mëngjesit, nga persona te paidentifikuar.

Të shtënat, thonë autoritetet, kanë ardhur nga një automjet në lëvizje, një “Opel Astra” që u gjet i djegur rreth 45 minuta më vonë, jo shumë larg vendit të krimit.

Pronarët e bizneseve dhe banorët e zonës thanë për mediat serbe se nuk kishin dëgjuar të shtëna, duke ngritur dyshime se vrasja mund të jetë kryer me një armë me silensiator nga vrasës profesionistë, për të cilët s’ka ende asnjë gjurmë.

Trupi i 65 –vjeçarit u dërgua në spitalin e Mitrovicës, ku po i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Një hetim i gjerë ka nisur për të zbardhur shkaqet, të cilat dyshohet se janë të lidhura me situatën politike në zonë.

Vëllai i tij Miroslav tha se nuk ishte në dijeni të konflikteve personale që mund të ketë pasur Oliveri. Ai u shpreh ne mediat serbe se shkaqet duhen kërkuar tek ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit.

Në një intervistë te muajit shtator në “Vjesti”, Oliver Ivanoviç shprehej se situata në Mitrovicën Veriore është tepër e tensionuar dhe se serbët në veri të Kosovës duhet të kishin frikë nga vetë serbët dhe jo nga shqiptarët. Ai hidhte dyshime se rrugëve të Mitrovicës Veriore lëviznin banditë serbë, shpërndarës droge, që toleroheshin nga krerët e policisë lokale.

 Ankohej se anëtarët e partisë së tij ishin detyruar nga militantë të rivalëve të tyre politikë të “Listës Serbe” të tërhiqnin kandidaturat për kryetarë të komunave në veri gjatë zgjedhjet lokale.

Oliver Ivanoviç, ka qenë një prej politikanëve më të rëndësishëm të skenës politike të serbëve të Kosovës pas pavarësisë nga Serbia. Ai ka qenë në favor të dialogut Kosovë – Serbi. Në 2014-ën, u burgos me akuzën për krime luftë në Kosovë, por u lirua më pas për t’u hetuar në gjendje të lirë. 

Tv Klan