E kishte vëzhguar për ditë më radhë pikën e karburantit në dalje të Sarandës dhe në orët e para të kësaj të diele, vendosi ta grabiste me armë.

Ishte ora 3 e 55 minuta, kur me një motor të kuq, një person i armatosur qëlloi mbi Artan Hoxhën, punonjësin e turnit të natës në këtë pikë karburanti në Qafë Gjashtë të Sarandës.

Pasi qëlloi me një armë gjahu mbi punonjësin, ai hyri brenda, ku mori shumën e 60 mijë lekëve nga kasa e karburantit dhe u largua me motoçikletën e tij. Gjatë gjithë kohës, ai mbajti në kokë një skafandër për të mos u identifikuar nga punonjësit e karburantit.

Autori e qëlloi 44 – vjeçarin Hoxha nga një distancë e afërt, duke e lënë fillimisht të plagosur. Punonjësi i karburantit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë më vonë gjatë transportimit për në spital.

karburanti

Policia e Sarandës identifikoi si autor të kësaj ngjarje të rëndë 27 – vjeçarin Arqilea Koçi, i dyshuar si përdorues i lëndëve narkotike.

Ai u arrestua pak orë pas ngjarjes në një hotel të qytetit. Në pranga ra dhe Mihal Leka, mik i autorit, i cili e kishte ndihmuar të fshihej.  Në dhomën e hotelit policia gjeti një pjesë të parave të grabitura, si dhe armën e krimit.

Policia ra në gjurmët e tyre pas kqyrjes së kamerave të sigurisë së karburantit, të cilat filmuan të gjithë skenën e grabitjes.

Karburantet janë preja e preferuar e grabitësve këto kohë. Pak ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës u grabit një i tillë. Autorët të maskuar morën kasafortën me 10 milion leke të vjetra.

Në të njëjtën ditë në Krujë u grabit një karburant tjetër. Tre persona të maskuar dhe me armë morën xhiron ditore./tvklan.al