Pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale serbe projeksionet nxorën fitues kryeministrin aktual Aleksandar Vuçiç, me mbi 55 për qind të votave 

Agjencia e pavarur IPSOS ka njoftuar se Vuçiç ka një dallim të madh në vota nga kandidati i dytë i radhitur Sasha Jankoviç, ish avokat i popullit, që mori mbi 16 për qind të votave.

Mbi 50 për qind e trupit zgjedhor nga mbi 6.5 milionë votues mori pjesë në votime, thanë organizatat që vëzhguan zgjedhjet. Votuesit serbë votuan për 11 kandidatë, në mesin e të cilëve edhe kryeministri aktual Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç, që siç njoftojnë mediat nga Beogradi ka deklaruar fitoren e tij në zgjedhje, tha përpara simpatizantëve të tij se ‘serbët votuan për politikat e tij të bashkimit me BE-në dhe mbajtjes së lidhjeve me Rusinë dhe Kinën’, bëri të ditur AP./REL