Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda 6 muajve të ardhshëm ose brenda vitit. Deklarata pozitive për dialogun Prishtinë – Beograd vjen nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për “The Guardian”.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për çdo çështje. Jemi të gatshëm të marrim në konsideratë çdo propozim i cili do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi, por me sigurinë që Serbia të marrë diçka në këmbim.”

Presidenti Vuçiç kërkon një paketë përfitimesh nga Prishtina. Më e rëndësishmja prej tyre, avancimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha një javë më parë për “The Guardian” se ujdia mes palëve mund të mbyllet këtë vit. Më tej Vuçiç thotë se çështja e Kosovës është sfilitëse për të si politikan, por edhe për Serbinë.

“Jam shtrydhur ditë pas dite. T’ju them të drejtën bëhet fjalë vetëm për Kosovën, gjithçka tjetër është vogëlsi. Kam shpenzuar të paktën 400 ditë që kur u zgjodha kryeministër vetëm me Kosovën. Kjo të merr energjinë, por njerëzit nuk e kuptojnë.”

Brukseli është besimplotë se me firmosjen e marrëveshjes, Beogradi do të arrinte ta pranonte Kosovën, në mos ta njihte zyrtarisht pavarësinë e saj. procesi i njohjes do t’i hapte rrugë Kosovës që të anëtarësohet në OKB, ndërsa për Serbinë do të ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt anëtarësimit në BE.

Tv Klan