Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po zhvillon vizitën e tij zyrtare në veriun e Mitrovicës.

Fillimisht ai qëndroi në fshatin Leposaviç dhe në Zveçan nga ku iu kundërpërgjigj deklaratave të Kryeministrit Isa Mustafa se Miniera e Trepçes dhe Liqeni i Gazivodës janë pjesë e Kosovës dhe s’janë të negociueshme në Bruksel.

Kryeministri serb tha se Mustafa duhet të tregojë konkretisht se çfarë ka investuar në veri të Mitrovicës.

Për sa i përket Trepçës, ai u shpreh se për Serbinë kjo çështje është jetike dhe se ajo duhet përfshirë në bisedimet e Brukselit.

Vuçiç nga veriu i Kosovës, foli edhe për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, ku tha se pala kosovare do të duhej të ishte më e vendosur që në fillim, e jo ta nënshkruajë marrëveshjen e më pas mos ta zbatojë.

Pikërisht kjo marrëveshje është bërë shkak i protestave të opozitës dhe bllokimit të parlamentit.

“Nëse Prishtina ka vendosur t’i tërhiqet marrëveshjes, duhet të na e komunikojë, pasi nëse është kështu, Serbia ka një plan tjetër,

tha Vuçiç.

Kryeministri serb vizitoi spitalin në veri të Mitrovicës, ku punojnë vetëm serbët dhe me pas drekoi në mencën e qendrës studentore.

Tv Klan