Llava e vullkanit Kilauea mbërrin në oqean. Autoritetet ngrenë alarmin për krijimin e reve toksike mbi ishullin ‘Big Island’, që është më i madhi i ishulli Hawaii.

Sipas ekspertëve, retë e dendura konsiderohen helmuese, pasi kur llava bie në kontakt me ujin e kripur të oqeanit çliron në ajër acid kloridrik dhe copëza të vogla qelqi. Autoritetet kanë këshilluar popullsinë të qëndrojnë sa më larg reve të krijuara.

Ndërkohë llava vijon të rrjedhë si lumë nga të gjitha çarjet e vullkanit që janë krijuar javëve të fundit. Në një zonë rezidenciale pranë, autoritetet kanë matur cilësinë e ajrit dhe rezulton se gazrat me përbërje dioksid squfuri janë trefishuar. Ndërkohë që dy shpërthimet e fundit të Kilauea kanë shkarkuar në atmosferë tonelata hi vullkanik.

Gjatë ditës së djeshme mbeti i plagosur dhe një banor. Ai u godit nga një shkëndijë llave, si pasojë e së cilës, i është djegur një pjesë e këmbës dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Klan Plus