Dega e Partisë së Drejtësisë në Vushtrri ka bërë të ditur qëndrimin e saj se kundërshton kategorikisht themelimin e komunës së re artificiale të Prelluzhës.

Sipas kësaj partie formimi i kësaj komune është në kundërshtim të qartë me politikat integruese të komunitetit serb dhe synimit politik për marrëdhënie të mira mes komuniteteve.

Sipas tyre, qytetarët serb të Komunës së Vushtrrisë kanë vullnet të plotë për integrim dhe deri tani janë pjesë aktive e shoqërisë sonë për t’u integruar në rendin kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës, duke përfshi përfitimin e subvencioneve, infrastrukturës, shëndetësisë e arsimit, shkruan Klan Kosova.

Në komunikatën e kësaj dege thuhet se ky vullnet i plotë i komunitetit serb brenda strukturës institucionale republikane është vullnet i natyrshëm, ndërsa ideja për formimin e komunës së re është imponim i ardhur nga strukturat jashtë Kosovës dhe si i tillë është i papranueshëm./tvklan.al