Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se zyrtarët e Shërbimit Korrektues tashmë janë në Prizren dhe po interesohen për sqarimin e rastit të vdekjes së veprimtarit të LVV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

“Ende nuk është bërë obduksioni. Ende nuk kemi se çka të themi. Një ekip i shërbimit korrektues është atje. Ata dalin me një raport të veçantë. Sot kam drejtuar edhe një ekip tjetër që t’i hetojnë rrethanat”, tha shkurt zoti Zogaj.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate, deklaroi se me qëllim të, siç tha, garantimit të transparencës në hetimin e rastit, ka marrë vendim që t’ia mundësojë, ‘përfshirjen e ekspertit të kërkuar nga familjarët e të ndjerit Dehari, në cilësinë e vëzhguesit në procesin e autopsisë’.

Gjatë ditës së diel, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria dhe ekipet përkatëse, kanë kryer të gjitha hetime në bazë të rregullave për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Dehari ndodhej nën masën e paraburgimit, pasi u arrestua javë më parë me akuzën për përfshirje në sulmin me armë zjarri mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Kryeprokurori Hoxha tha se nga hetimet e deritashme, rezulton se i ndjeri është dërguar në spital pa shenja jete.

Ai shtoi se Prokuroria është duke mbledhur edhe disa informacione, por ato më kryesoret do të jenë pas përfundimit të autopsisë që do të bëhet nga ekspertët mjeko-ligjorë.

“[I ndjeri] është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Aty tash i kemi disa kërkesa të familjarëve se duan ekip më të gjerë dhe ekspertë të jashtëm. Mirëpo, ne do të veprojmë në kuadër të kompetencave të Kodit të Proceduarës Penale. Ne, po ashtu, e kemi lëshuar urdhëresën për caktimin e tre ekspertëve mjeko-ligjorë [kosovar] që do të marrin pjesë në autopsi”, shpjegoi Hoxha.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me anë të një deklarate për media ka kërkuar që të sqarohet në detaje vdekja e Deharit.

“Në mënyrë që dhimbja e rëndë familjare dhe shqetësimi i publikut të mos manipulohen, kërkojmë nga institucionet përkatëse të ligjit, që në mënyrë urgjente të sqarojnë në tërësi dhe në detaje këtë rast”, thuhet në deklaratën dërguar medieve.

Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se pas deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, Lëvizja Vetëvendosje mban pikë së pari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht, pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha thënë se Astrit Dehari ishte akuzuar për terrorizëm, por siç është shprehur ai, ‘terrorin në fakt po e bën shteti me të gjitha mjetet e tij policore’.

“Vdekja e aktivistit tonë, Astrit Dehari, pavarësisht mossqarimit të rrethanave, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë. Nuk mund të jemi tash të sigurt për mënyrat se si funksionojnë institucionet e sigurisë dhe rrjedhimisht pra edhe për sigurinë dhe padrejtësinë ndaj tyre, kërkojmë që menjëherë të lirohen nga burgu”, deklaroi Ymeri.

Një sulm mbi Kuvendin e Kosovës, u krye në muajin gusht me armë zjarri duke shkaktuar dëme materiale. Javë më vonë Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona me dyshimin se kanë kryer vepër penale të sulmit mbi objektin zyrtar.

/Radio Evropa e Lirë