Kryetari demokrat i Komisionit të Zbulimit të Senatit thotë se “ekziston një konsensus i gjerë” se rusët kanë siguruar përmes hakerimit dokumente politike dhe e kanë bërë të njohur informacionin e siguruar, në përpjekje për të patur ndikim tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

 Senatori i Virxhinias Mark Warner i bëri këto komente në një konferencë shtypi që tha të mërkurën lidhur me hetimin që po zhvillon Komisioni i Senatit për ndikimin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Konferencën e shtypi senatori demokrat e dha së bashku me Kryetarin republikan të Komisionit, senatorin republikan të Karolinës së Veriut, Richard Burr.

Komisioni i Zbulimit i Senatit është njëri prej disa komisioneve që janë duke zhvilluar hetime lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Rusisë dhe anëtarëve të ekipit të fushatës së zotit Trump.

Senatori Warner tha se përpjekja e Rusisë për të patur ndikim tek zgjedhjet amerikane, po ashtu përfshin edhe disa përpjekje për të testuar dobësitë e sistemeve zgjedhore të 21 shteteve amerikane.

Senatori Burr tha se Rusia nuk ka mundur të ndikojë në procesin e numërimit të votave. Ai tha se Komisioni i Senatit është duke e vazhduar hetimin lidhur me mundësinë e bashkëpunimit të ekipit të zotit Trump me Rusinë gjatë fushatës elektorale, por ai shtoi se ende nuk ka ka një përfundim të qartë për atë që ka ndodhur.

Senatori demokrat Mark Warner tha se qeveria federale duhe të mbajë “një qëndrim më agresiv” lidhur me ndërhyrjen ruse, meqenëse hetimi i deritanishëm ka treguar për depërtimin rus në sistemet elektorale të 21 shteteve amerikane.

Megjithëse senatori republikan Burr theksoi se hetimi ende nuk ka arritur në konkluzione, ai tha se beson që komisioni nuk mund të presë derisa të përfundojë i gjithë hetimi. Ai tha se publiku duhet ta dijë se Rusia mund të ndërhyrë përsëri.

Shumica e ekipit të sigurisë kombëtare të presidentit Trump bie dakord me përfundimin e komunitetit të zbulimit se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të kaluar në favor të tij. Por Presidenti nuk ka thënë se ai u beson atyre.

Gjatë hetimit, anëtarët e komisionit si dhe stafi i hetuesve kanë zhvilluar kryesisht intervista me dyer të mbyllura me disa anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit dhe komunitetit të zbulimit./VOA