Clint Williamson

Kreu i Task – Forcës speciale hetimore të Bashkimit Europian për krimet e luftës në Kosovë gjatë periudhës së luftës në 1998-1999, prokurori amerikan Clint Williamson, deklaroi se ka prova që disa ish –zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Bruksel mbi konkluzionet e hetimeve 3 –vjeçare, ai tha se krimet ndaj serbëve nuk ishin sporadike, por të koordinuara dhe se për këtë kanë përgjegjësi të paktën 10 ish- drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emrat e tyre nuk janë bërë publik, por prokurori Williamson tha se ndaj tyre do të ngrihen akuza.

Clint Williamson – Prokuror special për krimet e luftës në Kosovë:Këta individë mbajnë përgjegjësi për fushatën e persekutimit ndaj popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera, si dhe kundër bashkëkombasve të tyre, që i cilësuan si kolaboracionistë, por në fakt ishin kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Hetimet tregojnë se ata janë  përfshirë në vrasje, rrëmbime, zhdukje, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre; si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe objekteve të tjera fetare. Ne besojmë se provat janë bindëse që këto vepra janë kryer në një mënyrë të organizuar dhe janë miratuar nga individë të caktuar në nivelin më të lartë të udhëheqjes së UÇK-së.”

Prokurori amerikan tha se hetimi i zhvilluar përputhet në masë të madhe me raportin e Këshillit të Europës të zviceranit Dick Marty në vitin 2011. Williamson tha se nuk ka gjetur prova për akuzën e heqjes dhe trafikut të organeve dhe përmendjen e rastit të “Shtëpisë së Verdhë” në Gurrë të Matit në territorin e Shqipërisë, por shtoi se kjo nuk do të thotë se këto krime nuk janë kryer.

Clint Williamson – Prokuror special për krimet e luftës në Kosovë:“Për të hetuar vepra të tilla penale duhet një numër provash që ende nuk i kemi siguruar. Ashtu si Dick Marty, edhe ne kemi ndeshur në sfida të mëdha për sigurimin e tyre. Kjo nuk do të thotë se këto krime nuk janë kryer, por do të vazhdojmë të kërkojmë provat.”

Williamson u shpreh se deri në funksionimin e Gjykatës Speciale, të ngritur me miratimin e Kuvendit të Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, nuk do të ngrihet asnjë akt-akuzë konkrete ndaj individëve në fjalë.

Kjo procedurë do të nisë pas 23 gushtit, kur përfundon tërësisht puna e Task-forcës së Bashkimit Europian dhe do të bëhet nga një prokuror tjetër.

Në gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi janë akuzuar gjithsej 7 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes të cilëve edhe dy prej drejtuesve të saj të lartë, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Ata janë shpallur të pafajshëm nga kjo gjykatë, sëbashku me 4 të tjerë, ndërsa vetëm një ish-luftëtar i UÇK është dënuar me 13 vjet heqje lirie.

TV KLAN