Ashtu si Kryeministri Edi Rama e shpalli ditë feste të martën pas miratimit nga parlamenti me konsensus të Reformës në Drejtësi edhe Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Fatmir Xhafaj ka vendosur të organizojë një pritje ceremoniale të enjten në mbrëmje me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Në kundërpërgjigje të ftesës, Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi i sugjeron Xhafajt se nuk ka ende një motiv për të festuar, pasi puna për demokratët nuk ka mbarur ende.

“Urojmë që në vend të festimeve pa mbaruar punën, të ndryshojë rrënjësisht qasja e forcës suaj politike për fazën e re të reformës, e cila do të na japë një Reformë në Drejtësi me legiitimitet përmes transparencës dhe jo fshehtësisë, gjithëpërfshirjes dhe jo përjashtimit, komunikimit të sinqertë dhe jo lojës së telefonit të prishur, dialogut dhe jo arrogancës, vullnetit të sinqertë dhe jo manovrave bizantine politike”.

Puna për demokratët duhet të pasohet nga i njëjti konsensus edhe për hartimin e 7 ligjeve, duke nisur nga ai i vetingut. Bylykbashi e fton Xhafajn të lërë mënjanë shfaqet dhe i kujton se opozita është e gatshme të angazhohet përmes ekspertëve të saj, por sipas procedurës kushtetuese, që siguron legjitimitetin e reformës.

“Miratimi dhe dekretimi i ndryshimeve Kushtetuese është një moment që na vë të gjithëve përpara përgjegjësive të mëdha për të vazhduar fazën e re, atë të miratimit të shtatë ligjeve organike dhe mbi 30 ligjeve të Viera që plotësojnë Reformën në Drejtësi, me përgjegjshmëri, gjithëpërfshirje, profesionalizëm, konsensus të shëndetshëm dhe transparencë të vërtetë. Pra është koha për angazhim dhe jo për vetëkënaqësi, shfaqje apo ceremoni pompoze për një proces që deri me sot nuk nderon forcën që përfaqësoni dhe Kuvendin e Shqipërisë. Opozita dhe ekspertët e saj janë gati të angazhohen në hartimin konsensual të këtyre ligjeve, duke filluar nga ligji për vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurisht në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese që sigurojnë legjitimitetin e reformës”.

Opozita me shumë gjasë nuk do të jetë nesër në pritjen ceremoniale të organizuar në Pallatin e Brigadave nga Fatmir Xhafaj, por Bylykbashi e fton kolegun e tij socialist që ta lexojë si ftesë për reflektim këtë mesazh dhe njëkohësisht si garanci për një produkt final, për të cilin sipas tij, shqiptarët duhet të ndihen të plotësuar në aspiratën e tyre për drejtësi të pavarur, Ilogaridhënëse dhe të aftë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Tv Klan