Kur kanë kaluar 3 javë nga hedhja e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, short i cili shkaktoi jo pak debate, ish – Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtesi deklaron se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve, nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe për rrjedhojë, edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit, të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.

Në një letër drejtuar drejtuesve të 3 organeve, nga të cilat u përzgjodhën anëtarët për KED, pikërisht kreut të Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, Fatmir Xhafaj ka argumentuar dhe arsyet e këtij konkluzioni të tij.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve thotë krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është parashikuar të bëhet sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës, që janë të vetmet norma të detyrueshme për t’u zbatuar në rastin e krijimit të këtij institucioni.

Dispozita kalimtare rregullon një marrëdhënie të posaçme, për një çështje të veçantë, shkruan Xhafaj, që zbatohet brenda një afati të caktuar, tej të cilit, objektivisht, bëhet e pazbatueshme. Dhe e vetmja dispozitë kushtetuese që duhet të ishte zbatuar, sipas tij, në rastin e kandidatëve për anëtarë të KED, duhet të ishte vetëm ajo e përzgjedhjes së anëtarëve nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore…”.

Por ndërsa Xhafaj i referohet dispozitës kalimtare, deputetja tjetër socialiste, Vasilika Hysi, gjatë hedhjes së shortit iu referua nenit 221 të ligjit

“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

.

Disa institucione i kanë përjashtuar magjistratet ose një kategori të magjistrateve, disa të tjerë i kanë pranuar. Nuk është vetëm fjala për shkollën e magjistraturës, është fjala edhe për dy vlerësimet e fundit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe në rast se ju thoni që në nenin 221 të gjitha kriterët janë plotësuar në mënyrë eksplicite, unë them se nuk janë plotësuar me mënyrë eksplicite”.

Ekspertët thonë se në shkelje të Kushtetutës janë zgjedhur edhe anëtarët e KED të propozuar nga Gjykata e Lartë. Pasi në shortin e hedhur më 27 Janar nga Kuvendi, asnjëri nga dy gjyqtarët e përzgjedhur nuk e plotëson kriterin e përcaktuar në paragrafin D të nenit 221 të ligjit, i cili kërkon që magjistrati të ketë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Gjykata e Lartë nuk dërgoi kandidatura që plotësonin kriterin e magjistraturës, siç ia kërkon ligji, por të gjithë listën e anëtarëve të saj dhe shorti u hodh mes gjithë anëtarësisë. Edhe kjo një shkelje e ligjit, pasi Gjykata e Lartë duhet të kishte dërguar specifikisht gjyqtarë që përmbushnin kriteret.

Zbatimi i reformës po nxjerr në pah gafa që lindin nga përpjekja për ta bërë shpejt e shpejt e përgjithë natën këtë reformë, e cila, siç duket qartë, ka nisur me shkelje të Kushtetutës.

Tv Klan