Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj sfidon opozitën një ditë para protestës së thirrur prej saj në qendër të Tiranës. Në një reagim në Twitter, kreu i uniformave blu thotë se është i gatshëm pa asnjë hezitim të japë dorëheqjen nëse audiopërgjimi del i vërtetë.

“Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot: Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim”.

Por ministri i Brendshëm thotë se nëse del që audiopërgjimi për të cilin opozita thotë se implikon vëllain e tij, ai që duhet të marrë përgjegjësi është kreu i opozitës.

“Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë? E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve. Drejtësi deri në fund.”

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e ka konsideruar edhe më herët audiopërgjimin e publikuar nga Partia demokratike të falsifikuar dhe një inskenim. Ai ka mohuar edhe akuzat se ka ndikuar që vëllai i tij i dënuar për trafik droge në Itali t’i shmanget vuajtjes së dënimit.

Tv Klan