Të ftuar:

Greta Koçi,

Eni Koçi,

Amarda Toska,

Robert Aliaj,

I ftuar special – Sali Berisha

Ka nisur mbrëmjen e sotme në ekranin e Televizionit Klan, emisioni më i ri, “Xing me Ermalin”.

Nën drejtimin e aktorit të humorit Ermal Mamaqi, mbrëmja e parë padyshim që do të jetë e mbushur me surpriza. Kjo u vu re në nisje, kur Mamaqi, me pretekstin për të bërë sa më shumë “bujë” e “për të marrë sa më shumë klikime”, kërkoi dikë që ta puthte në buzë.

Asnjë nga meshkujt e as femrat nga publiku nuk pranoi. Por sigurisht në ndihmë erdhi bashkëshortja e tij, Amarda Toska. Duke i uruar atij një sezon të mbarë në ekranin e Klan, ata u duartrokitën pafund nga publiku.

“Xing me Ermalin” nisi kështu rrugëtimin e tij që pa dyshim do të jetë tepër interesant. Mbrëmja e sotme, ashtu siç është bërë tashmë e ditur, do të ketë një të ftuar special. Ai është ish – Kryeministri Sali Berisha.

Mbrëmja e parë e emisionit më të ri në ekranin e Televizionit Klan, “Xing me Ermalin” kishte një të ftuar special. Në studio me Ermal Mamaqin ishte ish – Kryeministri Sali Berisha.

Në një intervistë e bashkëbisedim të gjatë dhe ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim, ish – Kryeministri preku tema të ndryshme, që nga politika e deri tek familja.

Jam shumë i nderuar dhe i emocionuar sepse tani do të vijë i pari i ftuar prej vërteti, të cilin unë e kam të ftuar në “Xing me Ermalin”. Shumë veta e adhurojnë, shumë veta e ndjekin, disa i thonë babai i Kombit, disa i thonë ai që solli demokracinë.

Doktor faleminderit, kjo ishte një mirëseardhje që të takon, e meriton. Doktor a mund ta prek dorën tuaj? Akoma nuk e besoj që je këtu, e kam pritur këtë moment”.

Je mirë?

Shumë mirë!

Gjithmonë kam pyetur veten se cila është ajo pije që ju pëlqen më shumë dhe gjithmonë dhe gjithmonë vetja më thotë: verë, verë, verë. Është e vërtetë se ti nuk dukesh edhe si tip pijanec.

Absolutisht është vera, por me një kusht, gjithë jetën nga një gotë në ditë. As do të gjesh njeri të thotë që piu dy gota.

A do të mundni të pini një gotë me mua në studio?

Mundet, po unë kam kohën time kur e pi. Unë pi një gotë vetëm në drekë.

Ah sa keq, unë doja të më mësonit sesi degustohet vera se unë jam shumë i paaftë.

Unë mund të bëj një provë, por mos harro unë nuk jam i pari në degustim në familje.

Ashtu?

Verën sa herë hapet shishja e deguston Lili, pasi është më e mirë sesa unë.

Për ne që nuk ia kemi idenë sesi degustohet vera, si hidhet? 

E preferueshme është që të hapet pak në mënyrë që të oksigjenohet. Vera degustohet së pari nga pamja, aroma, pastaj palatumi (qiellza) dhe buzët.

Doktor, thonë që ti je, vazhdon të jesh kryetari i Partisë Demokratike dhe mer vendime. Kaq shumë pyetje kam… Gjithsesi është shumë e vertëtë që askush nuk mund të të zëvendësojë, duket që ju keni zënë një pozicion, vendi Sali Berisha, që askush nuk mund ta zërë.

Iluzionet janë iluzione. E vërteta është që PD e drejton në çdo aspekt kryetari i saj, Lulzim Basha. Me cilindo nga bashkëpunëtorët e tij, ai mund të ndajë përgjegjësinë e drejtimit, përveçse me Sali Berishën. Me Sali Berishën nuk duhet të ndajë përgjegësinë e drejtimit, pasi nuk i shërben PD – së.

Lulzim Basha dhe çdonjëri nga demokratët mund të pyesë, mund të japë mendime, natyrisht jo në çdo gjë, pasi nuk i lejoj vetes të shpreh qëndrime dhe mendime, sepse unë jam ish – Kryetari. Janë shumë të pabaza ato që thuhen dhe mendohen, por unë të garantoj vetëm një gjë: Po të jetë problemi për infuencë dhe ndikim, Sali Berisha ndikimin më të madh dhe më të fuqishëm e ka tek Edi Rama.

Domethënë ti drejton Partinë Socialiste?

Jo! Le të ndjekim pak Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Lulzim Basha të gjitha deklaratat e tij, i formulon, i thotë, i shpreh bazuar në konceptet dhe mendimet e tij. Kurse Edi Rama tani ka dalë tek qytetari dixhital, e fillon me Sali Berishën, e mbyll me Sali Berishën dhe tani edhe një hapësirë tjetër që është qytetari dixhital. Shkonte dje në një fshat në Gramsh dhe u fliste atyre për qytetarin dixhital, që aty kishte nga ata që më kishin çuar mesazhe. Imagjino tani ti se ku është problemi. Po a jam unë kryetari i Partisë Socialiste, larg së qeni, kurrë.

Imagjino sesa lodhet ky kryetari i qeverisë tani, domethënë përveç pjesës tjetër duhet të merret edhe me ju, edhe t’ju ndjekë?

Unë nuk e detyroj atë, por ai nuk shqitet dot. Pra njeriu që citon më shumë Sali Berishën në Shqipëri është Edi Rama.

Ai është shumë i dashuruar me ju

Ai ka komplekse, ai në politikë citon vetëm dy persona: Sali Berishën dhe mund të bëjë një listë të tërë të shprehjeve të mia, por nga reminishenca e së shkuarës citon Enver Hoxhën, në mënyrë tekstuale.

Të dashur miq sot që ne po xhirojmë këtë emision është data 21 Shtator dhe sot është dita Ndërkombëtare e Paqes. Ka gjithë këto vite luftë politike, sharje, batuta, etj etj, ndërrime pushtetesh, si do ishte sikur ne të bënim një video tani dhe unë po marr guximin pa e konsultuar me doktorin. Unë po bëj një video, pastaj ky telefon mund të më thyhet edhe në kokë, ku i dihet.. Kjo është një video që i drejtohet Kryeministrit të momentit të vendit, Edi Ramës dhe pyetja ime është kjo: Nëse sot në ditën Ndërkombëtare të Paqes unë do t’ju bëja një ftesë, a do të vinit ju tek për tek dhe t’i dhuronit njëri – tjetrit një përqafim? Doktor do ta bëje një përqafim me Edi Ramën në ditën Ndërkombëtare të Paqes?

Mendoj se një akt i tillë nuk do t’i shërbente paqes, do t’i shërbente hipokrizisë.

Çfarë mendon për këta njerëz që i ndjekin politikanët deri në pikë?

Janë hipermotiv në politikë dhe për politikën.

Këta janë militantë apo fansa?

Sigurisht militantë, por është njeri që e përjeton me emocione të mëdha politikën.

Mesa kam parë unë, PD ka shumë të tillë, më shumë sesa PS -ja dhe çudi fiton PS -ja… nuk e di…

Po për këtë Reformën në Drejtësi, si mendon do të bëhet ndonjë gjë, do të hyjë njeri në burg apo është edhe kjo një fluskë sapuni?

Ndryshimet kushtetuese që u bënë, gjykoj se krijuan mundësinë për të vendosur standarde të reja, të cilat mund t’i japin një shans drejtësisë shqiptare, të nisë një proces jetik për vendin, luftën serioze kundër korrupsionit. Me ligjet e dyta që po bën Edi Rama, po shtrin kthetrat dhe po e fut në xhep drejtësinë duke e shkatërruar në mënyrë direkte.

Doktor a pendohesh ndonjëherë për ato që thua?

Pa diskutim mund të ketë, por jo vendimet. Mund të kem lapsuse, por vendime jo. Nuk i kam aksidentale.

Doktor kur ju jeni bërë për herë të parë president, cilat kanë qenë ato mendimet e para, pra gjëja e parë që mendove?

Gjërat që mendova për herë të parë dhe barra më e tmerrshme mbi mua ishte sepse unë banoja në Brrakë, në apartamentin tim dhe e bëja rrugën nga pallati në presidencë. Çdo mëngjes, sheshi “Skënderbej” së paku kishte me qindra e qindra të papunë, të rinj të papunë, sepse Ramiz Alia përpara se të ikte, dekretoi 80%, domethënë të gjithëve u jepte 80 % dhe askush nuk punonte më.

E merrnin si asistencë?

E merrnin si rrogë, me dhjetëra mijëra punëtorë, të ndërmarjeve të mëdha të cilat ishin jashtë çdolloj kushti teknologjik dhe Sali Berisha president, me fuqi ekzekutive kishte gjithsej në bankën e shtetit 4 milionë dollarë të lëna nga regjimi, pra rezervë shtetërore dhe pastaj me 4 milionë dollarë t’iu jepje përgjigje në vitin 1992 dhe këto ishin muajt e vështirësisë më të madhe. Ai vit u kalua nëpërmjet disa privatizimeve të shpejta, si përshembull: Për t’u dhënë qytetarëve që të kishin diçka në dorë nga sistemi i ri, bëmë privatizimin e apartamenteve dhe me një skemë të shkëlqyer me ndihmën e një eksperti të madh amerikan, ne ia dolëm në tetë muaj të privatizojmë 220 mijë apartamente. Njerëzit i morën, i paguan nga 100 dollarë, por gradualisht filloi tregu i tyre, filloi të gjenerojë të ardhura dhe u ndjenë se kanë diçka. Ndërsa në raport me shokët, i mblodha një ditë shokët, por për fat të keq kisha humbur sensin e parasë së re me atë të parasë së vjetër dhe kamarierin e pagova me të vjetra. Pra i ftova shokët për kafe dhe kur pagova, gabova dhe i thashë mos më kthe kusur.

Doktor, meqenëse po flasim për kohën e atëhershme, a të merr malli për Fatos Nanon?

Nuk kam patur miqësi me Fatos Nanon, e kam njohur.

E kam fjalën për kohën e Fatosit…

Për mua ishte betejë. Unë kam qenë në opozitë dhe ajo ishte një betejë.

Nuk të merr malli për atë kohë?

Jo.

Doktor po emisionin tim me Edi Ramën e ke parë, si t’u duk?

Ermal, rastësisht e kam parë, por sapo doli e kalova në kanal tjetër. Nuk e di pse, ai është artificial dhe ta shpif.

Doktor, unë jam shumë i shqetësuar për Kryeministrin sepse lodhet shumë, është shumë i shqetësuar edhe një komshiu i vet, është komshiu i tij atje në Surrel, është nipi i Nebi Surrelit dhe për qetësinë e Edi Ramës i ka prerë kokën gjelit, që mos të këndojë dhe mos t’a shqetësojë. Por ky ka një hall, se i kanë ik pulat se duan gjel, kanë zbrit pulat në Tiranë. A je edhe ti i shqetësuar për të?

Ermal, i thuaj atij të mos merret as me gjelin dhe as me pulat, ai ka bunker aty. A e ke parë nga larg shtëpinë? Ai ka ndërtuar bunker dhe siç ka psikologjinë e bllokmenit, sarajet e tij janë saraje bunkeri.

Doktor të mos bëhemi kaq cinikë, sepse në një këndvështrim tjetër ajo mund të jetë një vepër arti që ne nuk e kuptojmë dot…

Në fakt i fundit që merr vesh nga arti është ai. Arti është dhunti e çdo njeriu, që nga kohërat primitive, tek ato vizat e thjeshta, gjerë në kohërat e sotme. Unë nuk them që ai s’bën ca viza dhe zhgarravina, por art nuk është ama, ai ka komplekse dhe ka shumë.

Doktor kjo historia me politikanët kur hipin dhe zbresin nga pushteti, kur nuk janë në pushtet janë më të shëmtuar, si përshembull Edi Rama, dukej më i shëmtuar, më i zi, i dukeshin rrathët poshtë syve, më i shkurtër, ndërsa tani duket më i bukur, më i bardhë, nuk i ka më rrathët poshtë syve. A do bëhet Luli kaq i bukur kur të vijë Kryeministër?

Po, po pa operacione plastike që bën Rama. Pastaj pushteti ka aureolë dhe të duket ndryshe.

Ka njerëz që thonë se: Ja Luli nuk po e drejton mirë partinë, Luli e ka fajin… Ore, ku do futen këta njerëz kur Luli të vijë Kryeministër?

Jo, ata do bashkëpunojnë me Lulin.

Doktor, ka qenë një këngë e Gilit, “Le të puthen, le të puthen demokratë e socialistë”…  e imagjinon dot ti, te foltorja e parlamentit dhe vjen Edi Rama dhe të thotë: Urdhëro, jo i thua ti, urdhëro ti, edhe aty përqafoheni dhe përqafohen të gjithë, bie audienca e parlamentit dhe nuk e sheh njeri parlamentin..

Është vështrim artistik i politikës.

Ju jeni puthur ndonjëherë me Ilir Metën në ato vite që qëndroi në pushtet?

Në tërësi burrat nuk puthen me njëri – tjetrin, por ka edhe përjashtime.

Doktor, ju kur i keni pasur fëmijët e vegjël, a i ke rrahur ndonjëherë?

Jo! Mundet, por me aq sa mbaj mend, jo.

Nusja e re si të duket, e kam fjalën për Arminën, Armina Mevlani?

Ata janë në një periudhë bashkëjetese, por që po ecin drejt finalizimit të saj.

Ti e ke bekuar këtë ecje?

Absolutisht, unë respektoj zgjidhjen e djalit tim dhe të saj.

Doktor, ç’ne një malësor që bën not, se duket sikur je i fiksuar me notin?

Hobi im më kryesor është ecja në aktivitet fizik dhe i dyti noti, pra ecja është primare.

Sa ecën?

Unë eci gjithmonë dhe e rëndësishmë është të bëhen 10 mijë hapa në ditë, jo gjithnjë i bëj, por bëj edhe 16 mijë në fundjavë. Unë jam njeri i përkujdesur për të bërë kuotën e hapave që duhen. E kam patur gjithë jetën dhe ndikon në mënyrë thelbësore në cilësinë e jetës dhe kjo është ndoshta edhe parametri më i rëndësishëm. Sot mund të ndjehem fizikisht më mirë, edhe se 10 vite më parë. Shtatë vite më parë bëra një ecje në dëborë shumë të lodhshme, e bëra me shumë kënaqësi, por eca në dëborë rreth 2 orë e 30 minuta, pësova një dëmtim të gjunjëve dhe bëra një operacion. Mendova se nuk do ta merrja veten, por e mora.

Doktor, a ke qarë ndonjëherë kur ke parë ndonjë film të dhimshëm. A je person që edhe mund të prekesh apo je një person i fortë që nuk e lëshon asnjëherë veten?

Edhe prekem edhe i fortë, të dyja!

Sa kam qarë unë kur dhe dorëheqjen… e sa kanë qarë të gjithë.

Ai ka qenë një vendim gjakftohtë.

Por që theve të gjithë fjalët që thonin për ty, që ky nuk i zbret kalit, nuk di si i zbritet…

Gabimi më i madh që kanë bërë ata që janë marrë me mua, kur nuk kanë lexuar drejt atë që kam thënë. Unë kam bërë gjithnjë atë që kam thënë, në çdo rast, sepse kjo është zgjedhje. Në politikë mund të zgjedhësh këtë rrugë, ose mund të zgjedhësh një rrugë tjetër, indirekt, me dhelpëri, për fat të keq mund të zgjedhësh edhe gënjeshtën dhe këto i gjen edhe te personalitetet e shquara të politikës. Unë kam bërë zgjedhjen direkte dhe i kam qëndruar asaj deri në ditën e fundit.

A ke bërë ndonjëherë sherr?

Në tërësi jo, në lojëra kam qenë i kufizuar, shumë i apasionuar pas notit se më pyete pse… ka lumenj në Tropojë dhe shtëpia ime është midis dy lumenjve.

Atje ku anëtarët e PD-së bëjnë foto dhe ajo shtëpi është bërë muze tani?

Jo, por po e rindërton djali sepse u dëmtua shumë gjatë luftës së Kosovës, u përdor bazë e UÇK-së, serbët pastaj  kanë gjuajtur me mortaja 127-she sepse donin ta rrafshonin.

Doktor kur shkoni nëpër gëzime familjare a hidhni lekë?

Jo nuk hedh….

Në rubrikën “

Pyetje nga Facebook

“, ish – Kryeministrit Berisha iu drejtuan këto pyetje:

Nëse do të kishit mundësinë ta fusnit në sallë të operacionit Ramën, çfarë do t’i hiqnit nga trupi?

Nuk jam kirurg.

Nëse kët0 2 – 300 vitet e fundit, nëse do të bëheshit sërish kryeministër, kë do të vendosnit si Kryetar të Kuvendit?

Përsëri më duhet të them se unë jam ndarë përgjithmonë nga posti i Kryeministrit. Unë jam vendimi im.

Cili është sekreti që nuk u plake asnjëherë?

Besoj që më ka ndihmuar aktiviteti konstant fizik, por edhe një mënyrë e shëndetshme ushqimi, jo abuziv. Asgjë tjetër.

Jeni martuar me shkesi apo me dashuri?

Me dashuri.

A ta do shpirti edhe njëherë karrigen e shtetit?

Kurrë. Unë jam vendimi im.

A e ke gjetur diagnozën për sëmundjen e Partisë Socialiste?

Është nocioni i tyre se pasuria publike është pasuria e tyre. E majta e ka këtë fatkeqësi, nuk bën dallimin mes pronës publike, e cila nuk ka asnjë lidhje, përveç mbikqyrjes ligjore, me qeverinë dhe e konsiderojnë pronë private.

Në rubrikën “

Makina e së vërtetës”

, ish – Kryeministri u përgjigj:

Cili është politikani juaj i preferuar?

Winston Churchill, gjeniu i gjenive në politikë.

Politikani që keni më shumë inatë?

Politikani që kam patur më shumë inatë si bashkëkohës ka qenë Sllobodan Millosheviç.

Cili është notari më i mirë i lojërave olimpike 2016 ?

Phelps.

Cila është kënga juaj e preferuar?

Kam disa. Nga Beatles, Beyonce, kam shumë…

Cila është femra më e bukur në botë për ju?

Ka një agresion të tmerrshëm mediatik. Për shembull, mediatikisht është Kim Kardashian, por më vjen keq, ndjej keqardhje që është shndërruar në simbolin e femrës, por mua nuk më duket e tillë. Më e bukur, për mua mendoj Nicole Kidman.

Filmi i preferuar?

Nga romanet kam film të preferuar “Për kë bie këmbana” nga Heminguej. Film i madh është “Katedralja”, “Tamburi”.

Sigurisht për çdo përgjigje të dhënë nga Berisha, makina e së vërtetës dha version tjetër, për të cilat ish – Kryeministri dha mendimin e tij.

Për çfarë mendon më shumë gjatë ditës?

Unë, si makinë funksionoj. Në ç’kuptim? Unë e nis çdo ditë timen me program dhe në mëngjesin e ditës së re, mendoj për programin e ditës së re dhe bëj një rikapitullim të asaj që shkoi. Do të rrëfej diçka shumë të veçantë. Nëse kthehemi pas rreth 48 vite më parë, unë e gjej veten time absolutisht ai që kam qenë si atëherë. Çfarë bëja? Mbaroja mësimin, kur jepja mësim, shkoja në bibliotekë kombëtare. Mbyllej biblioteka, darkoja dhe më pas shkoja në zyrën time të vogël në fakultet, rreth orës 11 nisja punën dhe rrija aty deri në orën 1 e gjysmë të natës. Ky regjim është regjimi im i sotëm. Vazhdoj njësoj, pa asnjë ndryshim. Asnjëlloj, asgjë nuk lëviz në motivimin tim, vijoj të jem po njësoj i motivuar.

Por makina e së vërtetës ishte me “idenë” se Berisha mendon çdo ditë për kanabisin. Përgjigja e tij ishte kjo:

Kur kam qenë unë në pushtet padiskutim është mbjellë kanabis, nuk mund të mohohet, por mbi 95 përqind e tij është mbjellë në një fshat dhe jo në zona të tjera. Kur kemi ardhë ne në pushtet mbillej në një zonë shumë të gjerë dhe ne arritëm ta kufizojmë në shkallën më maksimale. Natyrisht nuk është se ne nuk e luftuam në Lazarat, sepse ndërprisnim vaditjen, ujin, bllokonim nxjerrjen nga fshati. E vërteta është që ndalonim jo pak, sepse kishte njerëz të infiltruar në radhët e tyre dhe për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare çdo njeriu. Italia për karshi, hoqi kontrollin bregdetar me Shqipërinë, në ndaluam skafet dhe Italia hoqi kontrollin bregdetar me Shqipërinë, kjo është e vërteta. Sot, Shqipëria është e invaduar nga kjo bimë si nga një vello krimi dhe në vlerësimin tim më gjakftohtë, e konsideroj një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare, për jetën e qytetarëve, një vello të zezë krimi me një çmim të tmerrshëm. Ka shumë njerëz që më shkruajnë dhe më thonë, përse Sali, e ke shumë gabim që flet kundër këtyre parcelave dhe unë u kthej përgjigje: nuk e kam gabim, përkundrazi, asnjë vend në histori nuk është zhvilluar me mbjellje droge. Vendet janë rrënuar me mbjellje droge, ka një mekanizëm që të shkatërron dhe të lë në vend numëro, është të synosh të pasurohesh të pasurosh vendim me mbjedhje droge. Po të ishte për drogën, Bolivia, apo Kolumbia s’do ishin ato që janë sot, por do të ishin të zhvilluara si Kaliforia apo Teksasi. Droga është një faktor shkatërrimtar dhe kjo ka marrë përmasa shumë të frikshme. Dhe ky është veprimi më i papërgjegjshëm që mund të ndodhë…