Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë.

Zyrtari i lartë amerikan, takimin e parë e zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe vijoi me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin si dhe pritet të takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinajn.

Yee  do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të minoriteteve në Kosovë.

Vizita e Yee në Prishtinë është e para që pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 Qershorit dhe krijimit të institucioneve të reja.

Një ditë më parë, Hoyt Brian Yee vizitoi Beogradin ku sërish shfaqi shqetësimin e tij për ndikimin rus në rajonin e Ballkanit.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hojt Braian Yee, i kërkoi Serbisë të tregojë vullnet të qartë nëse dëshiron që vërtetë të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Zyrtari i lartë amerikan tha se Serbia angazhohet  njëkohësisht për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe në ruajtjen e lidhjeve me Moskën.

Tv Klan