Duke u ndërlidhur me ngjarje historike, Visar Ymeri, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë një analogji, që sipas tij i përshtatet zgjedhjes së Hashim Thaçit President.

Në profilin e tij në Facebook, ai shkruan se zgjedhja e Thaçit si president i Kosovës, vjen pas marrëveshjeve që qeveria pjesë e së cilës ishte edhe ai, lidhi me Serbinë duke e dëmtuar kështu vendin sipas Ymerit.

Ymeri thotë se zgjdhja e Thaçit president, do të ndikojë që Kosova të humbë kontrollin mbi territoret e veta, të pasura këto me resurse të mëdha natyrore, raporton Klan Kosova.

Kështu shkruan Ymeri në Facebook:

“Traktati i parë i Tiranës (1926) dhe Traktati i dytë i Tiranës (1927) praktikisht e kishin shndërruar Shqipërinë në një (neo)koloni italiane – formalisht e pavarur por pa kontroll sovran mbi resurset ekonomike, marrëdhëniet tregtare, e deri mbi ndërtimin e kapaciteteve ushtarake, madje edhe duke inkurajuar vendbanime kolonësh italian.

Kur Shqipëria kishte refuzuar vazhdimin e Traktatit të parë, Italia fashiste e sulmoi ushtarakisht dhe filloi pushtimin e Shqipërisë.

Më 7 prill 1939 anijet e para luftarake kishin zbarkuar në Durrës. Aty u përballën me rezistencën që mban emrin e Mujo Ulqinakut. Patriotët shqiptarë u lanë të vetëm nga pushteti i Zogut, të keqarmatosur e me numër të vogël të ushtarëve.

Më 8 prill forcat fashiste kishin pushtuar Tiranën. ‘Mbreti’ iku, e kurorën ia la Viktor Emanuelit të III’të.

Nesër, më 7 prill 2016, 77 vjet pas zbarkimit pushtues në Durrës, Hashim Thaçi pritet të kurorëzohet President i Republikës së Kosovës, kur do të betohet para Kuvendit, ndërsa ceremonia e kurorëzimit është caktuar për 8 prill.

Ky kurorëzim vjen pas dy marrëveshjeve me Serbinë (19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015) të cilat e krijojnë një lidhje formale (neo)koloniale të Kosovës me Serbinë – ku Kosova është formalisht e pavarur por realisht e ndarë në dysh, me rrezik të humbjes së kontrollit strategjik mbi resurset ekonomike (Trepçë, Ujman, Brezovicë, etj), me marrëdhënie të plota të varësisë tregtare nga Serbia, me ‘Zajednicë’ me pushtet të fuqishëm të rikolonizimit të Kosovës, e pa ushtri fare.

Çfarëdo ngjashmërie mes dy situatave mbase është e rastit.”/tvklan.al