Banorët e Yzberishtit ankohen se që pas 25 Qershorit, ditën kur dolën në votime, në rubinetat e tyre nuk rrodhi më ujë. Ata thonë se janë pagues të rregullt të faturave të UKT-së, por edhe autoboti i bashkisë vjen rrallë e me porosi për lagje e persona në mënyrë selektive.

Edhe kryeplaku i Yzberishtit deklaron se janë 10 mijë banorë që vuajnë mungesën e ujit. Dorjan Zaganjori, inxhinier në UKT, thotë se këta banorë paguajnë afrofe shumën që mund të barazohet me konsumin e dimrit. Ndërsa, sipas këshilltarit bashkiak, Akil Kraja, qytetarëve u lind e drejta të mos e paguajnë shërbimin që nuk e marrin.

Edhe pse kryebashkiaku Veliaj ka premtuar para zgjedhjeve se do të ketë shërbim me ujë 24 orë, banorët e Yzberishtit që pas datës 25 Qershor nuk kanë ujë të pijshëm.

Kur votimet u dhanë, iku uji, u ndërpre dhe s’kemi pasur ujë fare. Erdhi shiu dje në daç beso, në daç mos beso, kemi mbushur ujë se u qelbëm. Kanë filluar morrat si në kohën e Enverit”,

ankohet një banore.

Ndërsa një banore tjetër thotë se prej 10 vitesh vuajnë nga problemi i ujit në atë zonë.

“Bëj reformë ti siç bëre reformën për dritat! Kërkoja ujin një për një, familje më familje, bjeri derës: ‘Zotëri ke ujë? Kam. Urdhëro lekët.’ S’pagove, prema ujin. Po jo të bëhem unë dënim kolektiv. Ku jemi? Në komunizëm po na kthen ai ne? U qelbëm duke blerë ujë të qelbur. Dhe tre ditë që na solli, na solli ujë me squfur.”

Banorja ankohet edhe për autobotet, të cilët shpërndajnë ujë me udhëzime në bazë të njohjeve dhe besimeve politike. Të gjithë kërkojnë ujin që paguajnë në UKT, pasi janë pagues të rregullt të faturave.

“Çfarë kemi bërë ne gabim që ju s’po na jepni ujin?”

, pyet një vajzë e vogël.

Kryeplaku i Yzberishtit shprehet se janë ankuar kudo për mungesën e ujit për 10 mijë banorët e zonës, por nuk është bërë asgjë. Ai thotë se edhe kur vjen uji, është i ndotur dhe si pasojë shumë banorë kanë shkuar në spital.

“Kanë sjellë nja dy herë një bot, po se kush do ta marrë një bot me 10 mijë banorë, nuk kuptoj. Një bot e do një familje. Plus këto botet që vijnë, e kishin me 10 mijë lekë, tani e kanë bërë 12. 400 mijë lekë ujë në muaj mo vlla…”

Inxhinieri i UKT-së, Dorjan Zaganjori thotë se banorët janë me afrofe dhe se në fatura kanë paguar taksat dhe ujin. Por nga rubinetët e banorëve nuk është derdhur ujë gjatë muajit Korrik dhe Gusht.

“Ato paguajnë edhe pjesën e ujit të dimrit, që ndoshta ka një konsum më të lartë seç paguajnë dhe pak a shumë e barazojnë vlerën. Plus edhe pjesës që në i furnizojmë me autobote, që krejt normale ato nuk kalojnë nëpër matëse, pasi nuk janë të pajisur.”

Zaganjori vazhdon pretendimin se banorët janë pajisur me ujë nëpërmjet autoboteve dhe shpreh habi për faktin se pse janë ankuar banorët.

Ndërsa këshillatri bashkiak Akil Kraja u jep të drejtën qytetarëve të mos paguajnë për një shërbim publik që nuk e marrin.

I pyetur nga gazetarja e emisionit “STOP” se si mund të veprojnë banorët, pasi nëse nuk i paguajnë faturat u ndërpresin ujin, këshilltari u shpreh: “

Në këtë rast është cinike për t’u thënë, por ata nuk kanë se çfarë të ndërpresin përderisa uji nuk vjen”.

Ai u bën thirrje banorëve të Yzberishtit t’i drejtohen autoriteteve përkatëse si dhe Këshillit të Bashkisë për të gjetur zgjidhje./tvklan.al