Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate dhe i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka reaguar menjëherë ndaj vendimit të Presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për faljen e të gjithë politikanëve të cilët janë nën hetim, duke e konsideruar si një grusht-shteti ndaj Maqedonisë.

“Grusht-shtet ndaj Maqedonisë. Vendimi i Ivanovit është tentim për shpëtim nga krimi dhe korrupsioni që i kanë bërë shtetit. Ivanov u bë pjesë e krimit. Prej sot nuk ekziston shteti i së drejtës. Shkelën Ligjet, Kushtetutën, qytetarët e Maqedonisë. Sot e varrosën Marrëveshjen e Përzhinës. Prej sot bashkë me qytetarët do ta kthejmë dinjitetin e shtetit. Kërkojmë nga Ivanov të japë dorëheqje. Kuvendi duhet të mblidhet dhe të debatojë rreth vendimit të Ivanovit.

Kriminelët duhet të përgjigjen për krimet”, tha Zaev.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve për protesta dhe premtoi se do tu prijë atyre për një Maqedoni demokratike.

“Unë Zoran Zaev do tu prij qytetarëve në luftën për një Maqedoni demokratike. Ose Gruevski ose Maqedonia. Ivanov sot ka sqaruar një dilemë, duhet të fitoj dhe do të fitojë Maqedonia. Mesazhi për protesta besoj se u përcoll tek qytetarët”.

Zaev u bëri thirrje juristëve që të japin komentet e tyre ndaj këtij vendimi të presidentit Gjorge Ivanov.

“Nuk kërkoj dhe nuk pranoj amnisti. Nuk jemi të gjithë njësoj dhe nuk jemi të gjithë kriminelë”,

tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

“Nuk dua të jem i falur, nuk jam kriminel. Nuk dua të më fusin në një shportë me të tjerët”,

shtoi ai./tvklan.al