Kryeministri maqedonas Zoran Zaev është optimist se çështja e emrit me Greqinë do të zgjidhet përpara mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Europian në qershor.

“Jam optimist… seriozisht sepse po bëhen 27 vite që s’po gjendet zgjidhje. Dhe përderisa tani bisedimet kanë arritur deri në këtë nivel, është mundësia që për një zgjidhje përpara samitit të Këshillit Europian”.

Deklaratën e bëri në një intervistë për radio Evropa e Lirë, ku tha se kërkesa e Greqisë që ndryshimi i emrit vuloset me ndryshimin e kushtetutës, mund të vendoset me referendum popullor. Në këtë rast sipas Zaevit, arritja e marrëveshjes do të ishte edhe më e lehtë. Por Greqia është kundër referendumit popullor në Maqedoni për marrëveshjen përfundimtare. Duke u bazuar në sondazhe, qeveria greke druhet se populli maqedonas është kundër ndryshimit të emrit të vendit. 

Pa marrëveshje për emrin, Athina nuk pranon që Shkupi të vijojë rrugën euroatlantike, siç e ripërsëriti edhe ministri i jashtëm grek Nikos Kocias pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Tv Klan