Arrestimi i Moisi Habilajt dhe bandës së tij të trafikut të drogës ka mbledhur këtë të martë një panel të ftuarish në “Opinion”, për të folur për përgjimet e autoriteteve italiane për këtë grup, ku përmendet edhe emri i ish – Ministrit Saimir Tahiri.

Pikërisht për këtë çështje, gazetari Blendi Fevziu kishte realizuar një lidhje në Skype me ish – kreun e Antidrogës në Fier dhe ish – Shefin e Kufirit në Vlorë, Dritan Zagani, një ndër personat e parë që kishte akuzuar ish – Ministrin e Brendshëm për lidje me drogën dhe vëllezërit Habilaj.

Në intervistën e realizuar në “Opinion”, Zagani tha se Tahiri drekonte me vëllezërit Habilaj sa herë që shkonte në Vlorë dhe se ata kujdeseshin për skafin e në pronësi të Tahirit.

Fevziu: Gjatë kohë që ju keni qenë oficer policie në Vlorë, është takuar Saimir Tahiri me Habilajt?

Zagani: Me dijeninë dhe informacionet e mija sa herë vinte në Vlorë hante drekë me ta. Me lolon dhe Moisiun.

Fevziu: Sa herë vinte në Vlorë hante drekë me ta?

Zagani: Patjetër!

Zagani tha se Habiljat kishin qenë një kontigjent i njohur kriminal në Vlorë, me të cilët e kishte patur njohjen fillestare në vitin 1998.

“Unë jam një ndër të parët oficerë të anti-drogës në rrethin e Vlorës, ata kanë qenë kontigjent kriminal. Madje njohja personale e imja me ta ka qenë që në vitin 1998, të cilët merreshin me trafik droge. Ata kanë qenë mjaft aktiv në këtë trafik. Habilajt kanë hapur shumë biznese legale, në vitin 2010 kam marrë vesh se ata kanë hapur një biznes fruta perimesh që eksportonin në Itali. Ata përmes një kamioni bëni tregti me Italinë. Duke pasur shumë dyshime se si ka mundësi me një kamion të lodhur, ata bënin një jetë përrallore. Pikërisht ashtu siç jetojnë trafikantët e drogës në Shqipëri. Në Vlorë kishte shumë biznesmenë të ndershëm të cilët nuk jetonin në standardin e tyre, kurse këta shfaqnin një jetë super luksoze”.

Më tej, Zagani deklaroi se grupet kriminale të trafikut të drogës në Shqipëri kanë arritur të korruptojnë edhe policë të nivelit të lartë në Itali. Ai tha se ka qenë dëshmitar në një aferë të tillë, por në atë kohë ai ndodhej në arrest shtëpie. Ai tregoi se grupet kriminale të drogës në Shqipëri janë shumë të forta, sa arrijnë të korruptojnë edhe policinë italiane në nivele të larta.

“Kam qenë dëshmitar okular në një aferë të tillë, kam parë personalisht, ku trafikantë të fuqishëm në Shqipëri të drogërave të forta që kanë arritur të korruptojnë shefa të policisë italiane.”

Ish – shefi i Antidrogës në Fier dhe ish – Shefi i Kufirit në Vlorë, Dritan Zagani, u arrestua në Maj të vitit 2014, i dyshuar për lidhje me një grup kriminal që trafikonte drogë nga Lazarati në drejtim të Italisë. Ai akuzohej për “shpërdorim detyre” dhe “trafikim të lëndëve narkotike.

Për disa muaj çështja u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila nuk mundi të faktonte implikimin e tij në trafikun e drogës, duke e pushuar si akuzë, dhe çështja i kaloi për hetim Prokurorisë e Fierit vetëm për veprën penale shpërdorim detyre. Kjo çoi edhe në lehtësimin e masës së caktuar ndaj Zaganit, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Në Shtator të 2015 -ës ai u shpall në kërkim nga Policia e Shtetit pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” duke u larguar nga Shqipëria. Zagani ndodhet aktualisht në Zvicër.

/tvklan.al