policia

Policia Bashkiake e kryeqytetit dorëzohet përpara mos zbatimit të ligjit nga shkelësit dhe kundravajtësit.

Shqetësimi i bërë i njohur me dhjetëra herë nga kamerat e TV Klan, për parkingjet e zëna me lloj – lloj mjetesh, si karrige, tavolina, vazo lulesh apo parkimi në vende ku është e ndaluar nga vetë tabelat e Bashkisë, nuk janë më objekt i punës së Policisë Bashkiake, duke deklaruar zyrtarisht se nuk mund të bëjë asgjë për ndryshimin e situatës.

Vete drejtori i kësaj policie, Vullnet Topalli e pranon situatën e rënduar në zënien me çfarëdo lloj mjeti në rrugët e kryeqytetit, por deklaron se policia bashkiake nuk mund të bëjë më asgjë në ndreqjen e situatës.

Ai i pyetur nga Televizioni Klan mbi këtë fenomen shprehet se policia ka bërë punën e saj, por qyetetarët nuk janë qytetëruar.

Drejtori i Policise Bashkiake së Tiranës, thotë se ka arritur deri në konfiskim të objektit që vendoset në rrugë për të mos lejuar parkimin, e në këtë rast, kjo kuti është dëmi me i madh që i është shkaktuar biznesit që me pa të drejtë s’të lë të parkosh.

Por ndërsa presim që qytetarët të qytetërohen dhe Policia Bashkiake të bëj punën e saj, drejtuesit e mjeteve shkojnë dhe parkojnë pikërisht aty ku tabela e vendosur nga bashkia tregon që s’mund të parkosh. Edhe ky fenomen jo pak shqetësues njihet nga Policia Bashkiake. Kreu i saj thotë se herë pas herë aty vihen gjoba dhe makinat hiqen nga karoatreci.

E vërteta është se në shumë rrugë, ashtu si në këtë rrugicë tepër të ngarkuar nga trafiku, ku për më tepër ndodhet edhe pranë Liceut Artistik, as karoatreci dhe as ndonjë nga patrullat e Policisë Bashkiake nuk ka kaluar prej kohësh, duke lejuar kaosin dhe rrezikun për jetën e nxënësve apo banorëve të zonës nga mbingarkesa e trafikut që vjen si pasojë e parkimit të gabuar, mu poshtë tabelës ku tregon pikërisht se parkimi aty nuk lejohet.

Ndonjë ditë, as tabela nuk mund të jetë më në këmbë, se mund t’i hyjë dikujt në punë dhe sërish Policia Bashkiake, do të paguhet në fund të muajit me paratë e taksapaguesve.

Tv Klan