Një ditë pas arrestimit të Aleksandër Muaratajt dhe Dritan Sinanit, dy të dyshuarve si të përfshirë në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, Tv Klan ka zbardhur rolin e tyre në këtë ngjarje. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Aleksandër Murataj 41 vjeç, i cili është vëllai i Admir Muratajt ende në kërkim, ka pasur rol mbështetës, apo dytësor në grabitje.

Ai mësohet se ka mbajtur nën mbikqyrje zonën si dhe ka ndihmuar autorët të largohen, pas kryerjes së grabitjes. Po ashtu sipas hetuesve ai ka pasur njohje me të gjithë pesonat e dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Pak kohë pas goditjes së grupit nga policia, Murataj tentoi të hynte në lidhje me policinë nëpërmjet lidhjeve të tij për t’u dorëzuar në këmbim të mosndjekjes penale ndaj tij.

Por për arsye ende të panjohura kjo gjë nuk është arritur. Ndërsa 43-vjecari Dritan Sinani është njohur me Admir Muratajn në Greqi, kur punonte në një linjë autobuzësh të transporti të pasagjerëve. Ai dyshohet se ka marrë pjesë aktivisht vetëm në grabitjen e 9 shkurtit. Në kërkim tashmë ka mbetur Admir Murataj i cilësuar si kreu i bandës.

Tv Klan