Grupi hetimor që po heton vrasjen e ish-oficerit të policisë Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautajt në Sukth rreth dy muaj më parë po has vështirësi për zbardhjen e ngjarjes.

Përveç pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat mungojnë në disa prej bizneseve në autostradë edhe dëshmitë e personave, të cilët mund të kenë pasur dijeni për konfliktet e viktimave nuk kanë ndihmuar hetuesit.

Disa ditë më parë është marrë dëshmia e një oficeri në policinë e Durrësit, i cili ka patur lidhje familjare me një nga viktimat. Por mësohet se ajo çfarë ka deklaruar zyrtari i policisë nuk ka ndihmuar grupin hetimor. Oficeri ka thënë se nuk mund të japë elemente të cilët mund të çojnë në zbardhjen e krimit pasi të dy viktimat kanë pasur mjaft konflikte.

Gjithashtu janë marrë një sërë dëshmish të tjera, nga të cilat janë përfituar të dhënat periferike që nuk i kanë shërbyer hetimeve.

Dëshmia e cila pritet të hedhe dritë mbi këtë ngjarje është ajo e pronarit të automjetit ku u vranë Dalipaj dhe Dautaj. Por ajo është e pamundur te merret pasi ai ndodhet në Gjermani dhe është e pamundur të kontaktohet me të.

Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj u vranë në një atentat në 25 prill pranë mbikalimit të Sukthit në Durrës.

/Tv Klan