42 – vjeçari Alban (Gëzim) Kaloshi dyshohet se u vra aksidentalisht nga miku i tij Viktor Elezi, i cili disa orë pas ngjarjes është vetëdorëzuar në polici.

Alban Kaloshi, një pronar bastesh nga fshati Blliçe, u dërgua i vdekur në urgjencën e spitalit të Peshkopisë, rreth orës 3:30 të së premtes.

Ai mbërriti pa shenja jete në urgjencë, nga dy persona të cilët u larguan me shpejtësi, pa dhënë sqarime.

Disa orë pas kësaj ngjarjeje, autoritetet në Dibër arritën të zbardhin vrasjen si dhe të identifikonin autorin.

37 – vjeçari Viktor Elezi, banues në Pollazhan të Dibrës, u vetëdorëzua gjatë orëve të mbrëmjes.

Paraprakisht, sqaron policia, dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi viktima me autorin kishin lidhje shoqërore mes njëri – tjetrit.

Megjithatë puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të, vijon.

Në njoftimin e saj, policia thekson se

“për shkak se hetimet janë në vijim nuk mund të japim të dhëna të tjera”.

/tvklan.al