Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zv/ Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat nga zyra e kreut të Kuvendit thuhet se Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus.

Meta u shpreh se “një reformë e bazuar në Kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj” me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi ta luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja.

Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal./tvklan.al