Policia vijon punën për zbulimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike.

Në një aksion të Komisariatit të Policisë së Devollit është bërë i mundur zbulimi i rreth 9 mijë rrënjëve bimë kanabis, ndërsa janë gjetur gjithashtu edhe dy armë zjarri.

Droga u gjet gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar mbi fshatin Sinicë, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Vjeshtës”.

Sipas policisë, 1200 bimë u gjetën të mbjella në tokë dhe 7800 të mbjella në gota plastike, këto të fundit të kultivuara në 4 sera.

Gjatë kontrollit policia gjeti gjithashtu 2 armë zjarri tip automatik, model 56, 4 krëhëra, si edhe 16 fishekë luftarakë, kalibri 7.62 mm.

Kanabisi u asgjësua me djegie, ndërsa një pjesë u mor në cilësinë e provës materiale.

Policia thotë se po punohen për identifikimin dhe kapjen e autorëve, mbi të cilët rëndojnë akuzat për veprat penale, të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake./tvklan.al