Misteri më i madh i jetës në vetvete është të qenit pjesë e saj, si u krijua jeta në Tokë dhe përse nuk është shfaqur në asnjë vend tjetër në Univers?

Teksa është e vështirë për t’i dhënë përgjigje pjesës së dytë të kësaj pyetje, derisa shkencëtarët të arrijnë të zbulojnë se çfarë ka në Universin e gjerë, duket se pjesa e parë mund të jetë më pranë një përgjigjeje.

Kjo pasi shkencëtarët, për herë të parë kanë arritur të gjejnë elementët bazë për zhvillimin e jetës, në atmosferën e kometës 67P, gurit gjigand në të cilin Philae arriti të zbriste në vitin 2014.

Por teksa bateria e Philae mbaroi sëbashku me shpresat për të rivendosur kontakt me robotin, anija kozmike Rosetta, e cila prej kohësh ka përshkuar orbitën e kometës 67P, ka mundur të dallojë diçka të madhe, pikërisht elementët kyç për krijimin e jetës, që gjenden në atmosferën e saj të mbuluar nga pluhuri.

Për të krijuar jetën nga zeroja duhet acid amino glicine dhe elementi i fosforit, përbërësit bazë të ADN – së, proteinave dhe membranës së qelizave. Për herë të parë, të gjithë këto elementë janë gjetur të gjithë bashkë në aureolën e gazit që ndodhet në kometë.

“Kjo tregon se edhe trupat më primitivë siç janë kometat, përmbajnë një miks kimikatesh komplekse, të varura nga dielli dhe toka”,

tha Kathrin Altwegg, nga Universiteti i Bernit në Zvicër, pjesë e grupit të punës së Rosettës. Duke folur për britaniken “The Guardian” ajo tha se, ato përmbajnë gjithçka që duhet për zhvillimin e jetës përveç energjisë.

Shkëncëtarët prej kohësh janë në kërkim të origjinës së këtyre kimikateve bazë, por problemin më të madh e kanë hasur me amino acidin e glicinës. Jeta nuk mund të ekzistojë pa të, por ai është i vështirë për t’u detektuar, pasi ndryshon lehtësish gjendje, nga i ngurtë në të gaztë.

Gjetja e këtyre elementëve në kometë, sipas shkencëtarëve, rrit shanset për ta gjetur glicinën në gazin që emëtohet prej saj./tvklan.al